Qeveria e Kosovës është duke e bërë gati të shpërndajë në popull qindra miliona euro para zgjedhje. Një gjë të tillë po synon të bëjë në emër të një pako ekonomike për përballje me inflacionin që e ka prekur Kosovës. Ndonëse dje në Kuvend refuzoi kërkesën e opozitës për ulje të përkohshme të akcizës ndaj naftës, ekzekutivi i ka bërë gati 200 milionë euro për mbështetej të qytetarëve.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka treguar se kjo pako do të jetë gati brenda këtij muaj.
Nëse Kuvendi nuk do të arrijë të zgjedh presidentin e ri, i bije që këto 200 milionë euro do të shpërndahen te qytetarët disa ditë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Një veprim i tillë po konsiderohet si blerje e votave.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, e ka mohuar se kjo pako ka të bëjë me zgjedhjet e reja që pritet të mbahen shumë shpejt.
“Unë e përmenda se çfarë do të bëjmë. Shumë shpejt do ta kemi pakon për përballje me inflacion në vlerë prej 200 milionë euro”, ka thënë Murati, në seancën e djeshme në Kuvend, ku është diskutuar për mundësinë e heqjes së akcizës për naftë.
Në adresimin e tij para deputetëve, ai ka thënë se pret që këtë pako të përkrah edhe opozita.
“Jam i sigurt që kur ta sjellin pakon mbështetës këtu në Kuvend do ta quani përsëri blerje të votës, apo jo? Pra, unë pres që ta mbani konsistencën brenda këtij muaj, që kur ta sjellim pakon mbështesë ta votoni dhe ta mbështetni edhe ju”, ka thënë Murati.
Ky paralajmërimi i Muratit ka nxitur reagimin e opozitës dhe shoqërisë civile.
Sipas tyre, kjo pako po bëhet gati për zgjedhje të reja.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se me këtë pako Qeveria Kurti po dëshiron me i ble votat në zgjedhjet e reja.
“Ministri i Financave tha kemi me e pru një pako për përballje me inflacionin 200 milionë euro. A e dini për çka ka me pru pakon? Për me i ble vota. Nëse shkojmë në zgjedhje, ky i blen votat. Domethënë tash nuk është në gjendje me dal me aprovu masa që kushtojnë 20 milionë euro në muaj, por e kish për përgatitje e sipër pakon prej 200 milionë euro”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, me 200 milionë euro secila parti politike në Kosovë i fiton zgjedhjet.
“Nuk ka parti politike parlamentare dhe jo parlamentare që nuk i fiton zgjedhjet me i pas 200 milionë euro të buxhetit të Kosovës. Me 200 milionë euro në një vend ku buxheti është 4 miliardë i planifikua dhe t`i i shpenzon 200 milionë euro, e 65 tash me pagën e 13-të, gjithkush i fiton. Por, kjo nuk është fitore, sepse nuk e ke përmbush asnjë premtim. Kjo është blerje e votave, skemë e korrupsionin publik”, ka thënë Bajrami.
Paralajmërimin e kësaj pako e ka kritikuar edhe analisti Shenoll Muharremi.
Edhe ai ka vlerësuar se kjo pako do të bëhet për shkak të zgjedhjeve të reja.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se kjo pako nuk e adreson problemin e inflacionit.
“200 milionë euro, që u përmend dje si mekanizëm për me adresu krizën e re të çmimeve apo “Pako 2.0”, NUK e adreson problemin e inflacionit. Vetëm shikojeni çfarë efekti patën 75 milionë që u shpërndanë këto ditë, për me kuptu çka do të ndodhë edhe me 200 milionë të tjerë. Gjithashtu, mos e harroni trendin e inflacionit në Kosovë, që ka shku prej 0.7% në 6.0%, si dhe importin e mallrave që ka eksploduar nga 2.8 miliardë në 7 miliardë… Punësimin, tregun e punës e migrimin, të gjitha lidhen se ndikimi është i gjërë i vendimeve dhe politikave ekonomike të tilla”, ka shkruar ai, duke shtuar se kjo pako mund të ndikojë edhe negativisht.
“Ironikisht, Pako 2.0 mundet me ndiku negativisht, në vend se me i ndihmu ekonomisë dhe qytetarëve, me e përkeqësu dhe me e stimulu inflacionin, rritjen e çmimeve edhe më shumë dhe me e e rrit importin kronik nga jashtë edhe me tepër”, ka shkruar ai.






