Deputeti i LDK-së, Agim Veliu ka reaguar pas mos ekzekutimit të pagave për mësimdhënësit grevistë.
Ai thotë se “Qeveria e shpresës” çdo ditë e më shumë po e tregon fytyrën e vërtetë, raporton Indeksonline.
Veliu kërkon reagim dhe presion opozitar e qytetar që pagat e mësimdhënësve të procesohen menjëherë.
Shkrimi i plotë:
“Qeveria e shpresës” çdo ditë e më shumë po e tregon fytyrën e vërtetë.
Ndodhi greva në sektorin publik dhe kjo qeveri po tregon se është qeveri e ndëshkimit.
Po vërtetohet se Kurti me kabinetin e tij qëllimisht iu shmang dialogut dhe ndërprerjes së grevës në arsim me qëllim që t’i tregojnë “muskujt” karshi mësimdhënësve.
Ndodhi ajo që edhe mund të pritej, qeveria e mashtrimit ndëshkoi mësimdhënësit dhe duke mos ua procesuar pagat, i la pa bukën e gojës mbi 20 mijë familje.
Në kohën e inflacionit më të lartë që nga paslufta, ngritjes enorme të çmimeve dhe kur qeveria e mashtrimit po paralajmëron dimër të rëndë energjetik, shumica e mësimdhënësve nuk do të marrin paga as në nëntor.
Pagat e tyre do të jenë peng i bankave, duke paguar dy këste të kredisë e me kamata ndëshkuese.
Prandaj, më shumë se kurrë nevojitet reagim dhe presion opozitar e qytetar mbi qeverinë e mashtrimit që pagat e mësimdhënësve të procesohen menjëherë.