13.4 C
New York
Friday, October 31, 2025

Buy now

Qeveri apo zgjedhje? Osmani sot takon liderët e partive politike parlamentare

- Advertisement -

Presidentja Vjosa Osmani i ka thirrur kryetarët e partive politike në një takim sot (e premte) në orën 12:00, teksa Kosova vazhdon përpjekjet për formimin e një qeverie të re gati nëntë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve.

Osmani pritej t’i ftonte ata për takim konsultativ, pasi i mandatuari i parë nga ajo, Albin Kurti i partisë fituese Lëvizja Vetëvendosje, dështoi t’i fitonte votat e mjaftueshme në Kuvend të dielën për ta zgjedhur qeverinë e re.

Ajo duhet ta caktojë një mandatar tjetër për formimin e qeverisë brenda 10 ditësh nga dështimi i mandatarit të parë, sipas Kushtetutës.

Megjithatë, nuk është e qartë nëse do të caktohet një mandatar i ri, për shkak të mungesës së vullnetit nga partitë për të arritur ndonjë koalicion qeverisës.

Lideri i partisë së dytë më të votuar, Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, të dielën e hodhi poshtë mundësinë që të bëhet mandatar i radhës, në rast se presidentja do ta pyeste nëse e ka shumicën.

Pak ditë pasi nuk e mori mbështetjen e Kuvendit për një mandat të tretë, Kurti – i cili është kryeministër në detyrë – paralajmëroi zgjedhje të reja në dhjetor.

Ai tha se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Nisma nuk deshën të bashkëpunonin me të, ndërsa ai vetë nuk e donte PDK-në në bashkëqeverisje.

Në prag të këtij takimi, shoqëria civile në vend i bëri thirrje presidentes t’i bashkojë partitë për ta miratuar buxhetin e ri të Kosovës.

Kosova e bëri Kuvendin e ri muaj më parë, por dështimi javën e kaluar për ta formuar një qeveri të re, ka rritur rrezikun që vendi të hyjë në vitin 2026 pa buxhet.

Paraliza politike ka bërë gjithashtu që Kosova të mos jenë në gjendje ta marrë asnjë qindarkë nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, nga i cili parashihet të përfitojë mbi 880 milionë euro.

Plani i Rritjes përmban një paketë prej 6 miliardë eurosh për të përkrahur përafrimin e ekonomive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet evropiane.

Kosova duhet ta ratifikojë në Kuvend marrëveshjen me bllokun për të qenë në gjendje të fillojë t’i pranojë të hollat.

Të ngjashme

Të fundit