Disa deputetë të kësaj partie dhe kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike “Ibër-Lepenc”, Faruk Mujka, kanë mbajtur një konferencë për media, ku e kanë kritikuar Bedri Hamzën.
Ata e kanë kritikuar të parin e Mitrovicës për mosmbajte të premtimeve, ani pse instituti GAP ka vlerësuar se Komuna e Mitrovicës ka numrin më të madh të premtimeve të realizuara.
Madje, Mujka, i cili vitin e kaluar ishte arrestuar nën dyshime për korrupsion, ka kontestuar edhe vlerësimin e GAP-it.
“Më shumë u habita me mosseriozitetin e GAP-i, e cila raportimet e z. Hamza apo kushdo qoftë që ia ka përgatitur, i merr si të mirëqena”, ka thënë ai.
Në fund të adresimit të tij, të cilin e lexonte, është konfirmuar qëllimi i kësaj konference.
Sipas tij, Bedri Hamza nuk është kandidat i denjë për kryeministër.
“Puna e tij tregon se pse nuk mundet me qenë madje as kandidat i denjë për kryeministër të Republikës së Kosovës”, është shprehur Mujka.
Në korrik të vitit të kaluar, Faruk Mujka, është arrestuar nën dyshimin për korrupsion.
Pas arrestimit të tij, Prokuroria Speciale kishte treguar se Mujka dyshohet për veprat penale që kishte kryer në kohen kur kishte qenë nënkryetar i Komunës së Mitrovicës.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës lidhur me këtë rast njofton opinionin publik se në maj të vitit 2022 ka pranuar informacione, lidhur me dyshimet për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga dy persona, në atë kohë pjesë e strukturave udhëheqëse në komunën e Mitrovicës së Jugut. Menjëherë pas pranimit të këtyre informacioneve PSRK ka autorizuar Policinë e Kosovës, për ndërmarrjen e veprimeve hetimore, me qëllim mbledhjen e provave.
Pas marrjes së informacionit në bazë të autorizimeve të PSRK-së, Policia e Kosovës ka ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore, ndërsa me datë 03.07.2023, ka paraqitur Kallëzim Penal ndaj zyrtarëve me inicialet F.M. dhe H.M., me dyshimin se gjatë kohës sa ishin pjesë e udhëheqësisë në komunën e Mitrovicës së Jugut, gjatë vitit 2021, janë përfshirë në kryerjen e veprës penale ‘’Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’.’, e sanksionuar me nenin 414 të Kodit Penal të Republikë së Kosovës”, ishte thënë në njoftimin e prokurorisë.