9.7 C
New York
Saturday, November 15, 2025

Buy now

Qerkini: Protestat ndaj Speciales shprehin pakënaqësitë ndaj parregullsive procedurale

- Advertisement -

Avokati Artan Qerkini ka thënë se protesta që do të mbahet nesër në Strasburg, nga ora 13:00, kundër Gjykatës Speciale, është duke u organizuar për të shprehur pakënaqësitë ndaj parregullsive procedurale.

Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai ka deklaruar se kjo protestë nuk ka qëllim të ndikojë në epilogun e procesit gjyqësor që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Kjo protestë është në vazhdën e protestave të organizuara në sheshin ‘Nënë Tereza’, pastaj në Hagë dhe tani në Strasburg. Sa po e shoh unë, qëllimi i këtyre protestave nuk është të ndikohet në epilogun final të procedurës, por më shumë të shprehet pakënaqësia ndaj disa veprimeve procedurale që janë bërë gjatë rrugës dhe janë evidente”, ka thënë Qerkini.

I njëjti ka përmendur disa prej arsyeve që mendon se janë shkaktarë të protestave ndaj Speciales.

Si arsye, Qerkini theksoi se paraburgimi i ish-krerëve të UÇK-së, seancat private dhe vendimet në gjuhën angleze mund të jenë ndër shkaktarët e protestave.

“Pra, gjithmonë është thënë dhe argumentuar se paraburgimi është i stërzgjatur, pasi nuk kishte nevojë që të zgjasë për pesë vite, duke marrë parasysh faktin se të gjithë janë dorëzuar vullnetarisht dhe nuk i kanë ikur drejtësisë. Pra, nën këto rrethana, është jashtëzakonisht e palogjikshme të pretendohet se ekziston rreziku i arratisjes dhe kjo të jetë shkak për vazhdimin e paraburgimit.”

“Pastaj ka pasur edhe çështje të tjera, si parimi i publicitetit: të gjithë dëshmitarët kyç kanë dhënë dëshmi në seanca private, pra opinioni nuk është njoftuar për përmbajtjen e tyre dhe nuk ka pasur mundësi të krijojë bindje për relevancën dhe vërtetësinë e atyre dëshmive. Po ashtu, nëse hyni në uebfaqe dhe shikoni të gjitha vendimet, ato janë në gjuhën angleze, vetëm 20 për qind janë në gjuhën shqipe”.

“Pra, nga njëra anë kemi seanca të mbyllura, dhe nga ana tjetër, shkresat mund t’i kuptojë vetëm ai që di anglisht, duke pasur parasysh se po flasim për një gjykatë kosovare ku Kushtetuta e Kosovës përcakton gjuhët zyrtare si shqip dhe serbisht, jo anglisht. Në një gjykatë kosovare, vendimet nuk mund të jenë vetëm në gjuhën angleze”, tha Qerkini.

Sërish në fund, avokati kosovar përmendi se pati frustrime nga qytetarët për parregullsitë procedurale të Speciales. /Klankosova.tv

 

Të ngjashme

Të fundit