Artan Qerkini, avokat i akredituar pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ka folur në emisionin FIVE në RTV Dukagjini lidhur me kërkesën e Prokurorisë për kufizimin e 15 personave për ta vizituar ish-presidentin Hashim Thaçi.
Ai ka thënë se kërkesa e ZPS-së nuk është normale.
“Kërkesa nuk më duket normale, sidomos nëse merret parasysh se rasti i Prokurorisë tashmë ka përfunduar. Pra, është fakt i ditur botërisht se Prokuroria ka përfunduar prezantimin e provave të saj dhe, për rrjedhojë, në dëshmitarët e propozuar nga Prokuroria tashmë nuk mund të ndikohet.”
“Prandaj, po e them se në këtë fazë të procedurës kjo kërkesë nuk më duket normale. Gjithmonë, kur bëhet fjalë për kufizimin e të drejtave të një personi i cili është në paraburgim, duhet të dimë se duhet të aplikohet testi i proporcionalitetit, pra në njërën anë të merret integriteti i procedurës që është në zhvillim e sipër dhe po ashtu edhe të drejtat e të paraburgosurit. Tashmë kjo kërkesë është e disbalancuar me këto dy parime, sepse po bëhet në një kohë kur Prokuroria, siç e thashë, ka përfunduar rastin e saj dhe pritet që të dëshmojnë dëshmitarët e mbrojtjes,” ka thënë ai.
“Kjo është veç një kërkesë e Prokurorisë, nuk është vendim final. Unë shpresoj se Gjykata nuk do ta aprovojë këtë kërkesë për arsyet që i përmenda më herët, mirëpo është jo tipike që edhe Prokuroria të bëjë një kërkesë të tillë. Ne e dimë që Prokuroria është palë në procedurë, bën kërkesa, mirëpo të mos harrojmë se edhe në bazë të vet ligjit dhe rregullores së procedurës veprore, Prokuroria ka për obligim t’i ndërmarrë edhe ato veprime që janë shfajësuese apo në favor të të pandehurit, jo vetëm veprime që e ngarkojnë të pandehurin. Prandaj, marrë parasysh edhe këto rrethana, kërkesa më duket shumë jo tipike dhe e pazakontë, dhe gjithnjë me shpresën se një kërkesë e tillë nuk do të aprovohet nga ana e Gjykatës,” ka thënë ai.