28.4 C
New York
Tuesday, August 5, 2025

Buy now

Qëndrimi amerikan: ShBA s’llogarit shumë në shtet pa institucione

- Advertisement -

E ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati thotë se Kosova po humb mundësi si pasojë e ngërçit politik në vend. Ajo tregon se Administrata Trump “kërkon aleatë të fortë” me të cilët mund të avancohen prioritetet e përbashkëta dhe se mundësitë për ta forcuar marrëdhënien ekonomike ndërmjet dy vendeve “mund të kalojnë pa u shfrytëzuar nëse ky ngërç vazhdon”.

Në një shtet ku nuk funksionojnë normalisht institucionet kryesore të tij, Amerika nuk llogarit.

Për momentin, vendi më i fuqishëm në botë nuk është duke u mbështetur plotësisht te Kosova, pikërisht për faktin se kjo e fundit nuk ka Kuvend të konstituuar e as qeveri të re, ani se janë bërë 6 muaj nga zgjedhjet e fundit.

Një gjë të tillë e tha e ngarkuara me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë Anu Parttipati, në një intervistë për Gazetën Express.

Ajo tha se pasiguria institucionale është përgjegjësi e liderëve kosovarë, derisa shtoi se vendi i saj nuk mund të bëjë gjë në situatën e krijuar në vend.

“Formimi i një qeverie pas zgjedhjeve është një funksion bazik demokratik, dhe ky bllokim i vazhdueshëm politik po rezulton në humbje të mundësive për Kosovën. Administrata Trump kërkon aleatë të fortë me të cilët mund t’i avancojmë prioritetet tona; një vend pa institucionet bazë dhe me një rrugë të pasigurt drejt krijimit të tyre është një partner tek i cili nuk mund të mbështetemi gjithmonë plotësisht. Kompanitë amerikane kërkojnë qeveri të qëndrueshme dhe partnerë të besueshëm kur shqyrtojnë ku të investojnë, dhe paaftësia e Kosovës për t’i formuar institucionet mund të bëjë që kompanitë të bëjnë biznes diku tjetër. Mundësitë për ta forcuar marrëdhënien tonë ekonomike mund të kalojnë pa u shfrytëzuar nëse ky ngërç vazhdon. Kjo në fund të fundit është një vendim për përfaqësuesit e zgjedhur të Kosovës, por ne i inkurajojmë ata të punojnë së bashku për ta përmbushur mandatin që populli i Kosovës ua ka dhënë”.

Diplomatja amerikane tha se një vend pa institucione kyçe dhe me “një rrugë të pasigurt drejt krijimit të tyre” është një partner tek i cili SHBA-ja nuk mund të mbështetet “gjithmonë plotësisht”.

Prattipati tha se “udhëheqësit e Kosovës janë zgjedhur për t’i zgjidhur sfidat me të cilat përballet vendi i tyre” dhe se ngërçin politik duhet ta zgjidhin po ata. “Shtetet e Bashkuara mund të ofrojnë mbështetje, por nuk mund t’i bëjnë zgjedhjet për udhëheqësit apo popullin e Kosovës”.

Që partneriteti me SHBA-në “të lulëzojë”, diplomatja amerikane thotë se “Kosova duhet t’i sigurojë kushtet”, ndërsa tregoi edhe se çfarë mund të pritet nga Administrata Trump.

Shtetet e bashkuara, sipas Prattipatit, presin që në zgjedhjet lokale të 12 tetorit t’u mundësohet edhe serbëve për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre.

Ajo shprehu shqetësimin e administratës amerikane për mënyrën se si u mbyllen institucionet paralele në veri të Kosovës, pa koordinim me komunitetet e prekura.

Prattipati la të kuptohet se vazhdimi i këtyre politikave mund të ndikojë për të keq dhe të kufizojë bashkëpunimin amerikano-kosovar.

Të ngjashme

Të fundit