Emri i Stresit javët e fundit në mediat rozë ka qenë mjaft i përmendur, kryesisht për shkak të triumfit në “BBVK”, po ashtu edhe për pajtimin e më pas bashkëpunimin me Noizyn e cdo gjë tjetër, ndërsa i ftuar së fundmi në “Lancio” në Top Albania Radio, reperi ka folur pak për të gjitha, përfshirë këtu edhe planet për muzikën, bindjet politike që nuk i ndryshon kurrë dhe marrëdhënien me ish-partneren, Keisin.
Fillimisht, i pyetur për raportin me atë që dikur ka qenë rivali i tij, Noizyn dhe projektin e tyre të përbashkët, “Medalionin”, ai u shpreh kështu:
“Të them të drejten, jam interesuar duke pyetur dhe Noizy-n. Në Londër jemi numër 1 ‘trending’ prej tre ditësh dhe është shumë një këngë shqiptare të qëndrojë numër 1 ‘trending’ në Mbretërinë e Bashkuar. Kënga po ecën me ritmet e huaja, me thënë të drejtën e kemi pritur kështu. Çdo gjë ka qenë me paramendim, edhe shakaja që bëmë. “
E meqë jemi tek “shakaja” e tyre, që theu ëndrrat e fansave të tyre pikërisht në kohën kur besuan se më në fund do të kishte paqe mes tyre, Stresi tha:
“Ideja(e shakasë) ishte e imja, i thashë Noizy-t që ta bëjmë. Mirë më tha, po para koncertit. Nuk erdhi mundësia atëherë edhe na erdhi para se të nxirrnim këngën. Njerëzit që ne na besojnë dhe kanë parë sa e shëndetshme është si shoqëri, janë mërzitur shumë nga kjo shaka, njerëz që me të vërtetë i vlerësoj, kurse njerëzit që me padurim presin të zihemi, çfarë nuk thanë. Ne i shihnim dhe vetëm qeshnim.”
Ndërkohë, ai tregoi më tepër edhe rreth faktit se përse reperët vendosën t’i jepnin fund rivalitetit të vjetër dhe cfarë mendon për njerëzit që nuk e kanë përkrahur këtë bashkim:
“Plasën, u mbytën. Është shumë e vërtetë që ne kemi patur ato zënkat tona. Unë jam 36 vjeç tani dhe imagjino si kemi reaguar 23 vjeç. Janë rrethana të ndryshme, çdo gjë ka ndryshuar. Njerëzit nuk kanë dashur kurrë që ne të jemi bashkë, këtë ta them me dorë në zemër. Po nuk ia dolën dot ata njerëz. Unë jam pro i çdo njeriu që pajtohet me dikë. Kanë kaluar kur kemi qenë adoleshentë, se tani jemi në një moshë që nuk mund të bëjmë asnjë gabim. Nuk ka gjë më të mirë se dy njerëz të pajtohen. Fatkeqësisht ne kemi një publik shumë vulgar.”
Sa i takon eksperiencës në “BBVK”, faktit se kush do ta fitonte një përballje mes tij dhe Luizit, e gjithcka tjetër që ka të bëjë me këtë format, Stresi tha:
“Unë ashtu si kam hyrë dhe kam dal, prapë po i njëjti jam dhe asgjë s’ka ndryshuar. Unë kam deklaruar këtë (që nuk bëhem pjesë) për në Shqipëri, në Shqipëri jo. Nuk është se s’ma kanë besuar mua si njeri, nuk kanë dashur duke ditur tipin tim. Po unë aty hyra për të sfiduar veten. Ishte eksperienca e fundit në karrierën time që unë eksperimentoj. Këtë gjë kisha lënë pa provuar në showbiz-in shqiptar.
Ne (Stresin dhe Luizin) na kanë parë nga televizioni. Aty nuk mund t’ja dallosh dikujt pikat, gjithçka duket jashtë. Nuk do kisha komentuar te kjo pjesë. Gjithësecili ka të vetat. Ne njihemi prej vitesh, besoj se do kishim shkuar shumë mirë, do ishim të dy në finale.”
Stresi nuk hezitoi të fliste edhe për marrëdhënien me atë që interneti e njeh si Clevio, mikun e tij me të cilin duket se kohët e fundit ka një “përplasje” virtuale:
“Unë e kam mbyllur TikTok-un. Di të them se sot shoqëria është shumë e shenjtë. Ka keqkuptime, shumë gjëra që ndodhin deri në një pikë, aty ku duhet. Sidomos në një shoqëri shumë-vjeçare. Gjërat nuk janë ashtu siç kanë qenë më përpara normalisht. Po kështu e kanë TikTtoks-at, çfarë t’ju bësh.”
Nga ana tjetër Stresi ka folur edhe për bindjet e tij politike që tashmë dihen dhe njihen nga të gjithë, duke komentuar kështu edhe rezultatin e fundit të zgjedhjeve:
“Normalisht që pritej (humbja e PD). Mos isha bërë këngëtar do isha bërë politikan. E kam shumë hobi. Po ua them, unë bindjen time politike sot dhe 1000 vjet nuk e shes, asnjëherë. Më vjen shumë keq që ka qenë një humbje e thellë. Unë kam thënë publikisht nuk merrem më me politikë, por zemrën e kam te bindja ime politike. Sa për Tropojën uroj të jenë mirë, ka qenë zgjedhja e tyre, e paçin me shëndet (qesh).”
I pyetur për raportin me ish-partneren e tij, Keisin, e cila më shumë se njëherë mori vëmendjen e mediave edhe gjatë kohës që reperi ishte në “BBVK”, ai tha:
“Është bërë shumë e madhe kjo vajzë në Shqipëri. Të them të drejtën dua ta bëj një apel, mos pyesni më. Për mua, çdo gjë ka marrë fund. Unë kam jetën time, secili ka jetën e vet. Nuk di çfarë të them, po rëndësi ka të jetë mirë, kaq.”
E meqë jemi te historitë e dashurisë, tani që është single, cilat janë disa nga karakteristikat që duhet të ketë partnerja e tij e ardhshme:
“Mua më merr malli të dal me një vajzë për kafe gjatë ditës. Më kanë njohur gjithmonë, më kanë pritur gjithmonë mirë. Dua një vajzë shumë të zgjuar, një vajzë që punon fort për veten e vet, ka ekonominë e vet, nuk i nënshtrohet askujt në këtë jetë, goc tirone dhe një vajzë shumë familjare, shumë e thjeshtë. “