Për Qazim Laçin nuk ka rëndësi se kush luan pasi të gjithë të grumbulluarit nga Silvinjo po ndihmojnë Shqipërinë që të përmbushë objektivin e saj, sigurimin e vendit të parë në Grupin E.
“Objektivi ishte kualifikimi në Europian. Tani si objektiv të dytë kemi vendin e parë dhe për atë do luftojmë. Besoj se trajneri Silvinjo i njeh të gjitha vlerat e lojtarëve. Jemi të gjithë të rëndësishëm për ekipin. Edhe ndeshje miqësore, edhe ndeshje kualifikuese trajneri ka besim te të gjithë lojtarët. Dhe për ne që nuk kemi shumë minuta me ekipin Kombëtar është një mundësi e mire”, tha Laçi në konferencën e sotme për shtyp.
Në fjalën e tij mesfushori i Spartës të Pragës u ndal pak edhe tek shokët e ekipit, të cilët i kishte si kundërshtarë në ndeshjen e fundit.
“Nuk ishin shumë të kënaqur. Dhe mua më vjen keq dhe shpresoj që ata të kualifikohen në fund”, pohoi 27-vjeçari.
Mes të tjerash ai tregoi përse nuk është surprizuar shumë nga kjo paraqitjet fantastike e Shqipërisë në këto kualifikuese.
“Besoj se niveli i ekipit Kombëtar është ngritur. Të gjithë lojtarët janë në kampionatet më të mira në botë. Të gjithë japin maksimumin. Në çdo ndeshje kemi 11 lojtarë, nuk mund të futësh më shumë. Ndihemi të gjithë krenar dhe tani kemi një shans shumë të madh për të bërë ëndrrat e shqiptarëve dhe tonat, kualifikimi në Europian”, tha Laçi.