Për vendimin e Gjykatës Supreme dhe kritikat e zyrtarëve qeveritarë për të, ka folur në një lidhje të drejtpërdrejtë në FIVE në RTV Dukagjini, Fejzullah Hasani, ish-kryetar i Gjykatës Supreme.

  1. Hasani ka thënë se duke përfshirë palët, edhe personin fizik edhe personin juridik, kanë të drejtë që të parashtrojnë kërkesa individuale në Gjykatën Kushtetuese ndaj vendimeve të gjykatave të rregullta nëse konsiderojnë se me vendimin e tyre është cenuar ndonjë e drejtë e garantuar me konventë ose me Kushtetutë.

“Kështu e thotë ligji për Gjykatën Kushtetuese. Tash është çështje tjetër se ky vendim a atakon ndonjë nga të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe konventë, përndryshe ligji nuk përjashton mundësinë që palët… të adresojnë kërkesa individuale në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe në lidhje me akuzat e zyrtarëve të qeverisë në raport me vendimin dhe vet gjyqtarët.

“…qasja e tillë vërtet është e dënueshme, vërtet është e gabueshme dhe duhet kjo qasje e politikës për të komentuar edhe vendimet e gjykatave të rregullta njëherë e përgjithmonë që të ndalet për faktin se vendimet e Gjykatës Supreme janë të padiskutueshme dhe të pakomentueshme. Nuk përjashtoj mundësinë që edhe vendimet e Gjykatës Supreme ndonjëherë të dalin të gabuara për faktin se edhe gjyqtari ndonjëherë mund të gabojë, edhe pse në rastin konkret nuk dyshoj as një fije në profesionalizmin e Gjykatës Supreme. Mirëpo, të komentosh në atë mënyrë, pastaj duke u marrë me referenca, me emra personalë, ajo është e ndëshkueshme, është e palejueshme dhe nëse e shikon në përmbajtje të rreshtave që i ka shkruar reaguesi, në rastin konkret ministri në largim, ka edhe doza të denigrimit, fyerjes së gjyqtarëve, poshtërimit të gjyqtarëve që nuk do duhej të ndodhte më”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Gjykata Supreme e ka konstatuar që Udhëzimi Administrativ ka qenë i paligjshëm, duke shtuar se pas një analize dhe debati të detajuar, merren ato vendime nga ana e gjyqtarëve.

“Ai vendim duhet të zbatohet… i referohet vetëm padisë për të cilën ka pasur kontest, d.m.th. nuk ka të bëjë me vendime të tjera fare… efektet e tij shtrihen për një Udhëzim Administrativ”, ka thënë ai.