Home Lajme Qalaj për situatën në veri: Sveçla nuk e meriton të jetë më ministër, e ka dëmtuar shumë Policinë

Qalaj për situatën në veri: Sveçla nuk e meriton të jetë më ministër, e ka dëmtuar shumë Policinë

0
Qalaj për situatën në veri: Sveçla nuk e meriton të jetë më ministër, e ka dëmtuar shumë Policinë

Në vazhdën e tensioneve që u krijuan në Veri të Kosovës që nga fundi i majit, kur serbët lokal kundërshtuan në mënyrë të dhunshme kryetarët shqiptar të komunave veriore me shumicë serbe që të futeshin në zyrat e tyre, të mërkurën e 14 qershorit tre policë të Kosovës janë rrëmbyer nga xhandarmëria serbe, brenda territorit të Republikës së Kosovës, duke cenuar kështu sovranitetin.Reagimet lidhur me këtë ngjarje ishin të shumta si nga institucionet vendore, ashtu edhe nga ato ndërkombëtare. Lidhur me gjendjen e sigurisë në veri të vendit për Persikopin ka folur ish-drejtori i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj.

Sipas Qalajt kontrollimi i brezit kufitar prej një kilometër sipas rezolutës 1244 , është në përgjegjesinë e KFOR-it, prandaj edhe shtimi i numrit të prezencës së tyre është një vendim i drejtë.

“Prej misionit që KFOR e ka nga komanda e saj kryesore, realisht ju e dini që përgjegjës për rendin dhe sigurinë duhet të jetë dhe është Policia Kosovës. Ju i keni parë atë ditë disa deklarta të komandantit të KFOR-it, kur e potencoj se policia është reaguesi i parë, ndërsa policia është reaguesi i tretë. Tani shtimi i prezencës së KFOR-it ndoshta ka të bëjë me rritjen e aktiviteteve përreth kufirit me Serbinë, për shkak se mos të harrojmë se ende përgjegjësia për kufirin që ndanë Kosovën me Serbinë është e KFOR-it. Edhe pse policia kufitare patrullon, realisht në bazë të një marrëveshje që është në vend, brezi kufitar prej 1 km është në përgjegjësinë e KFOR-it. Policia e Kosovës ka patrulluar dhe patrullon ende në atë pjesë, mirëpo mendoj se KFOR-i do të ishte mirë që ta shtonte prezencën përgjatë kufirit. Po ashtu ju keni parë edhe rritjen e aktivitetit të KFOR në Leposaviq dhe Zveçan aty ku kemi pasë prani të dhunës ndaj KFOR dhe policisë”, tha Qalaj për Periskopin.

Lidhur me rrëmbimin e tre policëve nga focat serbe në vendin e quajtur Tresave/Bare, 300 metra brenda në territorin e Republikës së Kosovës, Qalaj tha se Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla nuk e meriton të jetë më ministër pasi që e ka dëmtuar shumë Policinë e Kosovës.

“Unë mendoj se ministri Sveçla nuk është dashur të jetë ministër fare. Pra ai e ka dëmtuar aq shumë policinë e Kosovës, ai e ka dëmtuar shumë punën operative të policisë. Pra mendoj që ai nuk meriton të jetë ministër.” ka thënë Qalaj për Periskopin.

Trajtimi i ngjarjeve të ngjashme me standarde të ndryshme nga VV-ja nuk ka të ndalur, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me rastin e kidnapimit të tre policëve.

Një deklaratë të tillë për Qalajn e kishte edhe deputeti Mefail Bajqinovci, i cili kishte deklaruar në Kuvendin e Kosovës se në vitin 2012 kur Qalaj ka qenë drejtor i Policisë  “…Me kallashnikov Serbia t’i ka shtri për toke policinë, në kohën tuaj kur ke qenë drejtor…”.

“Unë nuk do të kisha komentuar këtë deklartatë të deputetit Bajqinovci që e ka bërë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, besoj se ka qenë një fjalim i ulët dhe jo me qëllim të mirë. Për shkak se ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, kur kemi të bëjmë me Policinë e Kosovës ne duhet të jemi të gjithë së bashku, pozitë dhe opozitë kundër veprimit të Serbisë e cila ka hyrë në territorin e Kosovës, pra e ka shkelur sovranitetin e vendit dhe me një mision të tyre kanë kidnapuar tre policë të Kosovës të cilët kanë qenë duke patrulluar përreth kufirit, pra kanë qenë duke e kryer detyrën e tyre. Ndërsa çështja se si e ka interpretuar zotri Bajqinovci, ajo mendoj se është një deklaratë e tij shumë shumë e ulët, ne prapë e përsërisë duhet të jemi shumë të kujdesshëm pasi policia e Kosovës është institucioni kryesor i sigurisë. Ata djem dhe vajza që janë në polici janë më të mirët që ka ky vend. Incidenti që ka qenë është i rëndë për të gjithë ne qytetarët e Kosovës që e kemi parë, duhet të dënohet nga të gjithë. Dhe për këtë duhet të jemi pa krah, në mënyrë që Policia e Kosovës ta kryej detyrën sa më mirë që është e mundur.” ka thënë Qalaj.

Ndryshe, deri më tani kanë reaguar të gjitha ambasadat e shteteve perëndimore, ndërsa  Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, kanë kërkuar lirimin e pa kushte të tre policëve të kidnapuar në veri të Kosovës nga Serbia

Exit mobile version