-0.6 C
New York
Tuesday, February 3, 2026

Buy now

PZAP-ja aprovon ankesën e Listës Serbe, i refuzon gjashtë të tjera

- Advertisement -

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka aprovuar ankesën e subjektit politik Lista Serbe dhe ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të shpallë rezultatet përfundimtare për këtë subjekt politik dhe kandidatët e tij në Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025. Ky panel ka refuzuar gjashtë ankesa të tjera.

Vendimi është marrë në seancën e mbajtur sot (3 shkurt),  ku PZAP ka konstatuar se refuzimi i KQZ-së për publikimin e rezultateve për Listën Serbe ka qenë i pajustifikuar dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi.

Në vendim thuhet se KQZ-ja, në mbledhjen e 31 janarit 2026, kishte shpallur rezultatet përfundimtare për subjektet e tjera politike, por jo edhe për Listën Serbe, pasi votimi për këtë subjekt nuk kishte marrë shumicën e dy të tretave të votave të anëtarëve të KQZ-së.

Sipas PZAP-së, një shpallje e pjesshme e rezultateve përfundimtare nuk ka bazë ligjore, pasi të gjitha procedurat e numërimit dhe rinumërimit të votave kishin përfunduar për të gjitha subjektet politike pa përjashtim. Paneli ka vlerësuar se një veprim i tillë cenon parimet e barazisë së subjekteve zgjedhore, sigurisë juridike dhe transparencës së procesit zgjedhor.

PZAP ka theksuar gjithashtu se KQZ-ja nuk ka ofruar asnjë arsyetim ligjor për refuzimin e shpalljes së rezultateve për Listën Serbe, duke e cilësuar vendimin si të mangët dhe në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe rregulloret zgjedhore.

Në bazë të kësaj, Paneli ka ndryshuar pikën III të vendimit të KQZ-së dhe ka urdhëruar shpalljen e rezultatit përfundimtar për Listën Serbe dhe kandidatët e saj.

Kundër këtij vendimi është e lejuar ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës, brenda 48 orëve nga momenti i pranimit të vendimit.

Të ngjashme

Të fundit