21.6 C
New York
Tuesday, October 7, 2025

Buy now

Pyetjet skandaloze të gjyqtarëve në Hagë që çuditen edhe James Rubin

- Advertisement -

Pyetjet janë të formuluara në mënyrë sugjestive, spekulative dhe inkriminuese ndaj të akuzuarve. Për këtë arsye, ato po konsiderohen si një anim në favor të prokurorisë.

Në Hagë, aty ku supozohej të zhvillohej një proces i drejtë dhe i paanshëm kundër krerëve të UÇK-së, pyetjet e gjyqtarëve po tregojnë të kundërtën.

Ato janë një shenjë e qartë se po zhvillohet një gjyq që po cenon rëndë të drejtat e njeriut.

Ekziston tashmë një bindje e fortë se paneli i gjyqtarëve nuk po kërkon ta ndriçojë të vërtetën.

Përkundrazi, po krijon një gjendje të rrezikshme ku katërshja e UÇK-së shihet si fajtore ende pa përfunduar procesi.

Kështu, gjyqtarët kanë forcuar bindjen në publik se në Hagë po zhvillohet një proces i shtrembëruar juridikisht, i motivuar politikisht dhe i dëmshëm historikisht.

Ish-diplomati amerikan James Rubin, njeriu që punoi në ngritjen e tribunaleve ndërkombëtare, dëshmoi në Hagë për historinë e tij në luftën e Kosovës dhe njohjen me UÇK-në. Por, pas saj, ai e ngriti me shumë shqetësim mënyrën se si ishte marrë në pyetje nga paneli i gjyqtarëve.

James Rubin:

Në të vërtetë, kjo nuk është një diçka që po kuptohet tani.

Ka më shumë se një vit që avokatët mbrojtës të krerëve të UÇK-së kanë shprehur shqetësimet e tyre për pyetjet e gjyqtarëve. Pyetjet janë të formuluara në mënyrë sugjestive, spekulative dhe inkriminuese ndaj të akuzuarve. Për këtë arsye, ato po konsiderohen si një anim në favor të prokurorisë.

Rodney Dixon / Avokat i Kadri Veselit, 7 nëntor 2024:

Pyetjet mund të përqendrohen në sqarimin e asaj që dëshmitari është në gjendje të thotë, dhe ai e ka shprehur shumë qartë se çfarë besimi ka. Dhe të bëhen komente mbi atë nëse ky besim është i drejtë apo i gabuar nuk është i përshtatshëm në këtë fazë.

Aiden Ellis / Avokat i Jakup Krasniqit, 25 qershor 2024:

Kjo është një pyetje e Prokurorisë, jo gjyqësore….Përsëri kjo është një pyetje shumë orientuese mbi një çështje që Gjykata duket se e konsideron të rëndësishme për vlerësimin e këtij rasti.

Rodney Dixon / Avokat i Kadri Veselit, 4 dhjetor 2024:

Ne kundërshtojmë mbi këtë bazë, veçanërisht për shkak të mënyrës se si po paraqitet si një rast me pyetje orientuese.

Nina Tavakoli / Avokate e Hashimit Thacit, 23 shtator 2025:

A është e mundur që të bëni pyetje jo-orientuese në funksionin tuaj për kërkimin e të vërtetes?

Në nëntor të vitit 2024, në një shkresë të përbashkët, avokatët mbrojtës ia bënë të qartë panelit se me pyetjet e tyre po shkelin të drejtat e njeriut dhe po harrojnë parimin bazë të çdo gjykimi – prezumimin e pafajësisë.

“Pyetjet gjyqësore po krijojnë përshtypjen se Paneli nuk e sfidon rastin e Prokurorisë, por përkundrazi po e shfrytëzon pjesën më të madhe të kohës për të drejtuar pyetje mbi çështje inkriminuese. Kjo po çon në përshtypjen e qartë se prezumimi i pafajësisë së të akuzuarve nuk po respektohet. Mënyra skajshmërisht e njëanshme në të cilën janë zhvilluar pyetjet gjyqësore në këtë gjykim ka krijuar pikërisht atë ‘dyshim për anim në proces’.”

Krejt këtë absurditet dhe këtë shkelje flagrante të parimit të një gjykimi të drejtë e kanë ndërtuar kryesisht dy gjyqtarë: gjermani Christoph Barthe dhe zvicerani Guénaël Mettraux.

Të dy janë shndërruar në njëfarë këmbësorie të prokurorisë.

Me orë të tëra parashtrojnë pyetje që nuk e sfidojnë lëndën e prokurorisë. Përkundrazi, ato e rëndojnë pozitën e katërshes së UÇK-së, deri në pikën ku përmenden situata hipotetike dhe spekulative.

Metro pyetje:

Nëse katër ekipe mbrojtëse, që kanë në përbërje avokatë me përvojë të jashtëzakonshme ndërkombëtare dhe me CV akademike të rralla, e ngritin këtë shqetësim, duhet dëgjuar me vëmendje.

Nëse edhe një diplomat amerikan, me përvojë të madhe në konfliktet botërore dhe në ngritjen e tribunaleve, e ndan të njëjtin shqetësim, atëherë kjo nuk është më një çështje për t’u raportuar si fakt i zakonshëm.

Është një këmbanë e fortë alarmi. Sepse nuk është më vetëm një mësim juridik se si nuk duhet të funksionojnë gjykatat, por është një shkelm që po i jepet historisë së Kosovës, luftës së saj për liri në emër të drejtësisë.

Të ngjashme

Të fundit