-2.7 C
New York
Thursday, December 26, 2024

Buy now

Pyetjet para se të largoheni nga një punë

- Advertisement -

Nëse mendoni të filloni biznesin ose sipërmarrjen tuaj dhe doni të keni mundësi që t’i përkushtoni vëmendjen maksimale, ja se çfarë duhet të merrni parasysh përpara se të hiqni dorë nga një punë e qëndrueshme

Të gjithë mund ta mbajmë mend ditën kur e kemi kuptuar se vendi ynë i punës po na e sillte në majë të hundës dhe se ishte koha për një ndryshim në mënyrën sesi e formonim përditshmërinë.

Por përtej mendimit të krisur dhe dëshirës për t’ia mbathur nga një punë e kthyer në kurth për energjitë tona, disa mendime edhe më të thella na fusin më tej në arsyetim për mundësinë e dorëheqjes, gjendjen financiare, karrierën e mëtejshme dhe aftësinë për t’ia nisur nga e para.

Megjithatë, fakti që menduat për të hequr dorë nga puna juaj do të thotë se keni kaluar mjaftueshëm dhe se ka ardhur koha për të bërë një ndryshim thelbësor. Mos i numëroni vitet që ju ka marrë ajo lloj pune, sepse kjo do t’ju pengojë të ecni përpara. Por e mira e të mirave është që të arsyetoni deri në detaj, nëse duhet apo jo të merrni vendimin që ndieni si të domosdoshëm thellë brenda jush.

EO ju sjell një listë me pyetjet që duhet t’ia bëni vetes para se ta merrni këtë hap:

A keni mjaftueshëm kursime?

Ne të gjithë kemi dëgjuar historitë e suksesit të atyre që heqin dorë nga një vend pune pa asnjë kursim dhe që në fund ia dalin mbanë. Ato histori përbëjnë sidoqoftë, përjashtim. Nuk ndodhin normalisht, ndaj mos i merrni parasysh si mundësi në rastin tuaj. Realiteti është se të ardhurat nga një biznes mund të jenë sporadike për disa muaj dhe ndonjëherë edhe inekzistente.

Keni nevojë për një fond emergjence që të jetë mjaftueshëm i madh për të mbuluar pengesat që do të hasni në fillim në rrugën tuaj. Nëse nuk do t’ju duhet, atëherë do të keni më tepër para për të investuar.

A ju paguajnë faturat të ardhurat e biznesit tuaj?

Shumë sipërmarrës kanë probleme kur heqin dorë nga puna e përditshme për t’iu përkushtuar bizneseve, ndërsa janë ende në zhvillim. Ata mund të kenë hasur një nivel të mirë të ardhurash në muajt e parë, por jo mjaftueshëm për t’i paguar faturat. Në këtë rast, mos hiqni dorë nga puna që po bëni.

Cilat janë planet tuaja për zhvillim në të ardhmen?

Plani juaj i biznesit duhet të përfshijë shkallën dhe rritjen e tij me kalimin e kohës. Duhet të keni një plan që do t’ju mundësojë të arrini majat që kërkoni. Thjesht përse ju ka lindur një ide e mirë dhe se prodhuat disa para si fillim, nuk do të thotë se jeni gati të hiqni dorë nga puna e vjetër. Keni nevojë për një vizion për të ardhmen.

A keni një plan emergjence?

puna1Të gjithë dëshirojmë që gjërat të na ecin siç i planifikojmë, por çfarë ndodh nëse kjo dëshirë nuk realizohet? Ndonjëherë, bizneset falimentojnë dhe kjo është fare normale. Për më tepër, ka raste kur duhet të kaloni në dështim që të gjeni rrugën e duhur për t’u zhvilluar akoma më tepër. Nëse biznesi ju falimenton, duhet të mbështeteni te diçka tjetër, kjo është një arsye më shumë për të mbajtur punën tetorarësh gjatë ditës.

Kush mund të preket nëse dështoni?

Nëse keni një familje ose dikë që mbështetet shumë te ju, heqja dorë nga çdo gjë mund ta përkeqësojë shumë situatën. Sipërmarrja është diçka e mrekullueshme. Liria që ju jep, mund të jetë tepër e madhe, por përpara familjes, nuk duhet të mbivlerësoni biznesin. Mendoni për ata që do të prekeshin nëse ju bëni një vendim të gabuar.

Çfarë mendimesh enden në kokën tuaj?

Mentaliteti që keni është një pjesë e rëndësishme e suksesit në jetë dhe në biznes. Një sipërmarrës i suksesshëm duhet të jetë në dijeni të kurtheve që mund t’i ngrejë mendja e tij, rreth besimeve që i limitojnë kapacitetin dhe nevojës për të ndryshuar vazhdimisht veten për mirë. Nëse lini një punë me pagesë të rregullt, pa e ditur se keni ende tepër gjëra për të përmirësuar te vetja, atëherë po gaboni.

Bëni mirë që më parë të zgjidhni pengesat brenda vetes për t’ia dalë me sukses në një plan që do të marrë shumë kohë dhe energji tuajën.

Nëse do t’ia hyni një rreziku, sigurohuni që t’ia vlejë 100 për qind. Mos u nxitoni që të hiqni dorë përpara kohe, vetëm se fillimi është i mbarë. Duhet të keni besim të plotë që keni një plan për t’u zhvilluar, se keni mjaftueshëm kursime për të mbuluar çdo të papritur dhe se familja juaj është krah jush e paprekur nga ndryshimet ekonomike që mund të shkaktojë aventura juaj në biznes.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit