14.3 C
New York
Sunday, October 6, 2024

Buy now

“Pyetje sugjestive”, gjyqtari i Speciales që po kundërshohet për mënyrën se si po i pyet dëshmitarët

- Advertisement -

Paneli i gjyqtarëve në Gjykatën Speciale në Hagë, në procesin kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është kundërshtuar sërish për formën e pyetjeve që po ju bën dëshmitarëve.

Dhe atë në dy elemente. Se pyetjet duken sikur t’i kishte bërë prokuroria, dhe tjetra se janë sugjestive. Gjyqtari zviceran, Guénaël Mettraux, teksa po e merret në pyetje dëshmitarin Kurtesh Fondaj, një ish ushtarak në Zonën e Pashtrikut e ka pyetur atë për arrestimin e Blerim Kuqit në atë kohë dhe është përpjekur ta lidhë rastin e tij me Jakup Krasniqin, duke bërë pyetje sugjestive sipas mbrojtësve, të tipit “nëse”. “Ne pamë që zoti Limaj si drejtor i Policisë Ushtarake kishte lëshuar vendim për arrestimin e Blerim Kuqit.

Në qoftë se do të thosha se kjo është bërë me kërkesë të Jakup Krasniqit, pra se zoti Jakup Krasniqi e ka informuar Policinë Ushtarake dhe zotin Dobruna lidhur me vendimin për të arrestuar zotin Kuqi, ju keni ndonjë arsye për të kontestuar këtë?”, ishte pyetja e gjyqtarit.

Menjëherë në këtë rast ngritët në këmbë avokati i Jakup Krasniqit, Aidan Ellis, duke e cilësuar këtë si një pyetje që i takon prokurorisë e jo panelit që ta bëjë. “E kundërshtoj këtë pyetje. Kjo është një pyetje që duhet ta bëjë prokuroria, nuk mund ta bëjë trupi gjykues këtë pyetje.

Mbi çfarë baza mund të përgjigjet dëshmitari e të thotë a e ka informuar Jakup Krasniqi Policinë Ushtarake.”, ishte fjala e Ellis.

Gjyqtari zviceran tha se po e formulonte ndryshe, por sërish pyeti me pyetje të llojit “nëse”. “Nëse Bislim Zyrapi atëherë do të thoshte që vendimi i Shtabit të Përgjithshëm për të arrestuar zotin Kuqi u është përcjellë apo është komunikuar nga zoti Jakup Krasniqi, ke ndonjë arsye për ta kontestuar?”, pyeti ai.

E sërish reagoi Ellis duke thënë se kjo është një pyetje sugjestive dhe se nuk është as ky dëshmitar që ka thënë ndonjëherë se Bislim Zyrapi e ka pohuar këtë. “Kjo është një pyetje tërësisht sugjestionuese. Nuk është një pyetje kjo për t’u bërë nga paneli.

Nëse ka ndonjë dëshmitar që ka dëshmi për këtë atëherë lë ta thotë ky dëshmitar, por jo një person I cili nuk ka dijeni në lidhje me këtë. Ky dëshmitar nuk ka thënë asnjëherë që e ka thënë një gjë të tillë Bislim Zyrapi”, tha Ellis.

Paneli i gjyqtarëve vazhdoi duke kërkuar nga dëshmitari që të përgjigjet edhe në këto pyetje. Kjo nuk është hera e parë që ky gjyqtar, Guénaël Mettraux, kundërshtohet për pyetje të tilla.

Një rast i njëjtë kishte ndodhur edhe më një dëshmitar tjetër, Hajrush Kurtaj. Në atë rast vet dëshmitari kishte reaguar duke thënë se “nuk mund të përgjigjet e të flasë ai për situata hipotetike”.

Rasti tjetër

Kur dëshmitarët kryesorë në rastin e krerëve të UÇK-së japin dëshmi, pjesën e fundit të pyetjeve e bëjnë gjyqtarët. Megjithatë, në disa raste pyetjet e njërit prej gjyqtarëve po dalin të jenë orientuese.

Fjala është për gjyqtarin zviceran Genel Metro. Edhe pse situata të tilla kanë ndodhur me disa dëshmitarë, Nacionale ka evidentuar një rast ku haptasi pyetjet e gjyqtarit Metro kalojnë në nivelin spekulativ. Madje, këtë e pranon edhe vet gjyqtari përderisa po i shtronte këto pyetje.

Në një video të cilën gazeta Nacionale e ka analizuar, shihen pyetjet e gjyqtarit Metro. P.SH në disa raste ai i shtron pyetje dëshmitarit Hajrush Kurtaj të tipit: “Le të imagjinojmë”, “Të supozojmë” dhe në një moment gjyqtari thotë “të iu pyes edhe një herë, mbase pyetje spekuluese”.

Një praktikë e cila nuk lejohet as në gjykatat e Kosovës, e lëre në Tribunalet apo Gjykatat ndërkombëtare.

Në fillim, gjyqtari Metro e pyet zv/komandantin e Brigadës 162, se e kujt do të ishte përgjegjësia nëse një ushtar do të kishte kryer krime.

Le të imagjinojmë për një çast sikur të kenë kryer krime, përgjegjësi e kujt do të kishte qenë brenda brigadës që të ndërmerrte hapa kundër personave brenda brigadës së tyre, nëse do të merrnin dijeni për këto veprimet e tyre. Kush ishte përgjegjës për marrjen e masave?” pyeti gjyqtari Metro.

“Nuk ka bërë askush krime të luftës, nuk muj me imagjinu se çka do të kishte ndodhur. Nuk ka pasur raste që ushtarët e brigadës 162 kanë bërë krime, por janë forcat e okupatorit serb që kanë kryer ndaj qytetarëve në Kaçanik, në përgjegthsi në krejt Kosovën.

Në një tjetër moment gjatë seancës, gjyqtari Metro e ballafaqon dëshmitarin Hajrush Kurtajn me një dokument të Brigadës 161. Këtu ai tenton në situatë hipotetike ta orientojë dëshmitarin nëse ka pasur raste të ngjashme në Brigadën të cilën ai e ka udhëhequr.

“E pranoni zotëri se ajo që shohim këtu, të paktën për nga rastet e brigadës 161 masat disiplinore janë marrë kundër anëtarëve të UÇK-së se e kanë lëshuar pozicionin dhe detyrën pa leje, e pranoni këtë?”, pyeti Metro.

“E pranoj (por kjo është) për një brigadë krejt tjetër, dhe një dokument përpara vetes pa kurrfarë emri e mbiemri, vetëm shkruan komandanti i brigadës nuk ka kurrfarë emri. Për mua nuk thotë asgjë ky vendim, edhe është i papranueshëm për mua”, u përgjigj Kurtaj.

Këtu gjyqtari Metro vazhdon me pyetje orientuese, të tipit “të supozojmë”.

Të supozojmë se është kështu siç është kjo. Po na thoni që brigada 161 vepronte ndryshe nga brigada 162 për këtë çështje. Në rastin e brigadës 161 ushtari po ta lëshonte pozicionin disiplinohej, kurse në brigadën 162 jo. Këtë po dëshmoni?”, pyeti Metro.

“Vetëm për brigadën 162 muj me dëshmu që asnjë ushtarë nuk i ka lëshuar radhët e brigadës 162 Agim Bajrami, të gjithë ata që i kanë marrë detyrat edhe i kanë kthyer. Për brigada tjera nuk është kompetencë e imja të komentoj apo supozoj, se çfarëdo që të them mundem mos me qenë real”, u përgjigj sërish Kurtaj.

Në pyetjen e radhës, gjyqtari e pranon se po bën pyetje spekuluese, por e vazhdon këtë rutinë.

“Të iu pyes edhe një herë, mbase një pyetje spekuluese. Po të kishte ndodhur kjo në brigadën tuaj, pra siç ka ndodhur në këtë dokument, ta kishte lëshuar, të ishte larguar nga pozicioni ushtari, ju nuk do të merrnit asnjë masë disiplinore?”, tha gjyqtari zviceran.

“Nuk ka pasur raste në brigadën time se gjatë komunikimit me ushtarët e mi gjithëherë kam bashkëbiseduar dhe kam thënë ata që lodhen, ata që kanë nevojë me vizitu familjet le t’i drejtohen brigadës. Andaj nuk kemi pasur asnjë rast të ballafaqohemi me kësi vendime”, deklaroi dëshmitari Kurtaj.

Por, gjyqtari sërish nuk u zmbraps. Ai sërish e ktheu në pyetje hipotetike,

“Më duket se nuk iu përgjigjët pyetjes. Ta zëmë se ekziston rasti kur nuk ka kërkuar leje. Nëse një prej ushtarëve të brigadës tuaj të ishte largu nga pozicioni, pa lejen tuaj, ju po thoni që nuk do të kishte pasur asnjë pasojë. Nuk do të ishte marrë asnjë masë?”, pyeti gjyqtari Metro.

“Derisa nuk kam pasur asnjë rast nuk muj me spekulu, me supozu. Se po e shoh tash që edhe për ato gjërat që kam supozuar po duhet me dhënë përgjegjësi, nuk muj me supozu. Në brigadën time nuk ka pasur kësi raste”, deklaroi Hajrush Kurtaj. /Nacionale/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit