Botë

Putin: Inflacioni një nga problemet kryesore në ekonominë ruse

By GAZETA SCANNER 1

September 19, 2023

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka deklaruar se inflacioni është një nga problemet kryesore në ekonominë e vendit të tij.

Putin mori pjesë në takimin e mbajtur përmes video konferencës me zyrtarë për buxhetin federal rus. Ai njoftoi se rritja e ekonomisë ruse në vitin 2023 parashikohej të ishte 1,2% në muajin prill, por ky nivel, theksoi ai, është kaluar dhe rritja ekonomike në fund të vitit mund të arrijë në 2,5 dhe madje në 2,8%.

“Këtë vit kishte një deficit të vogël në buxhet, por në gusht doli përsëri shumë. Është e rëndësishme që në të ardhurat e jashtme përveç naftës dhe gazit natyror të regjistrohet një rritje e madhe në krahasim me vitin e kaluar”, tha Putin, duke informuar se situata në buxhetin federal është stabilizuar.

Presidenti rus po ashtu theksoi se në muajt gusht dhe korrik të ardhurat e Rusisë nga nafta dhe gazi natyror kanë arritur nivelet e vitit të kaluar.

Pasi theksoi se inflacioni është një nga problemet kryesore në ekonominë e vendit, Putin tha se, “Është e qartë se një nga problemet kryesore është përshpejtimi në rritjen e inflacionit. Edhe arsyeja kryesore për këtë është dobësimi i rublës. Është e nevojshme të merren vendimet e duhura në kohën e duhur, pa vonesë”.

Ndër të tjera, Putin bëri të ditur se vendet Perëndimore bëjnë një presion të jashtëm “të pashembullt” mbi ekonominë ruse.

“Mund të themi se procesi i rimëkëmbjes së ekonomisë ruse ka përfunduar. Ne i kemi rezistuar një presioni të jashtëm absolutisht të paprecedentë, sulmeve sanksionuese të disa drejtuesve elitarë në të ashtuquajturin bllokun Perëndimor”, tha ai.