Gjykata Kushtetuese ka marrë vendin që të hedh poshtë vendimin e Qeverisë në lidhje me shkarkimin e anëtares së Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Kimete Gashit.
Gjykata ka vendosur që kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të lartcekur të Kuvendit është parashtruar në Gjykatë nga Vlora Dumoshi dhe njëmbëdhjetë (11) deputetë tjerë të Kuvendit të Kosovës, bazuar në autorizimet e përcaktuara në paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Një vit më parë Kuvendi i Kosovës me 58 vota për ka shkarkuar Kimete Gashin nga pozita e anëtares së bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, konstatoi se për shkarkimin e Kimete Gashit kanë votuar 58 deputetë për, 1 kundër dhe dy abstenime.
Glauk Konjufca dhe deputeti Eman Rrahmani kanë abstenuar.
Më poshtë gjeni vendimin e Gjykatës:
Njoftim për vendim në rastin KO157/23
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur përkitazi me kërkesën në rastin
KO157/23, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit [nr. 08-V-583] të 13
korrikut 2023 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për shkarkimin e anëtares së Bordit të
Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së
Vendimit të lartcekur të Kuvendit është parashtruar në Gjykatë nga Vlora Dumoshi dhe
njëmbëdhjetë (11) deputetë tjerë të Kuvendit të Kosovës, bazuar në autorizimet e
përcaktuara në paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të
Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Në rastin KO157/23, Gjykata ka vendosur, njëzëri, që (i) të deklarojë kërkesën të
pranueshme; dhe (ii) me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër, që Vendimi [nr.08-V-583] i 13
korrikut 2023 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për shkarkimin e anëtares së Bordit të
OSHP-së, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e
Kuvendit] dhe paragrafin 1 të nenit 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës.
Aktgjykimi i Gjykatës fillimisht sqaron që, rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me
shkarkimin e anëtares së Bordit të OSHP-së përmes Vendimit të kontestuar të Kuvendit të
Republikës së Kosovës, të 13 korrikut 2023. Siç sqarohet në Aktgjykim, shkarkimit të
anëtares së Bordit të OSHP-së, i kishte paraprirë Vendimi [PSH. 397/409/22] i Bordit të
OSHP-së i 11 tetorit 2022, përmes të cilit ishte anuluar njoftimi i Autoritetit Kontraktues,
përkatësisht Ministrisë së Shëndetësisë, për anulimin e aktivitetit të prokurimit me titull
“Furnizimi me Insulina Analoge nga Lista Esenciale Lot 1 dhe Lot 3”. Vendimi i lartcekur i
Panelit Shqyrtues të OSHP-së ishte nxjerrë në mënyrë unanime, pas ankesës së dy (2)
operatorëve ekonomikë dhe pas shqyrtimit të ekspertizës së ekspertit përkatës të
prokurimit, duke saktësuar që anulohet Njoftimi për anulimin e aktivitetit të prokurimit të
Ministrisë së Shëndetësisë dhe që çështja kthehet në rivlerësim. Vendimi i lartcekur i
Panelit Shqyrtues të OSHP-së, me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, i është nënshtruar
vlerësimit të gjykatave të rregullta, Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Gjykatës së Apelit,
respektivisht, të cilat kanë hedhur poshtë padinë, përkatësisht ankesën e Ministrisë së
Shëndetësisë si të palejueshme. Si rrjedhojë, Qeveria e Republikës së Kosovës kishte
propozuar shkarkimin e kryesueses së Panelit Shqyrtues të OSHP-së që kishte nxjerrë
vendimin e lartcekur, me arsyetimin e “shkeljes së etikës profesionale”. Ky propozim i
Qeverisë, ishte shqyrtuar nga Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere i Kuvendit të
Republikës së Kosovës dhe i cili, vendosi që Kuvendit t’i rekomandojë mosmiratimin,
përkatësisht refuzimin e propozimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për shkarkimin e
anëtares së Bordit të OSHP-së. Megjithatë, Kuvendi i Republikës së Kosovës, në seancën
plenare të 13 korrikut 2023, bazuar në propozimin e Qeverisë, përmes Vendimit të
kontestuar, e shkarkoi anëtaren e Bordit të OSHP-së.
Parashtruesit e kërkesës para Gjykatës kontestuan kushtetutshmërinë e këtij Vendimi të
Kuvendit, duke pretenduar, ndër të tjera, që i njëjti është nxjerrë në kundërshtim me
kompetencën mbikëqyrëse të Kuvendit, sipas përcaktimeve të paragrafit 9 të nenit 65
[Kompetencat e Kuvendit] dhe nenit 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës, në esencë,
duke vënë theks, në (i) mungesën e bazës ligjore për shkarkimin përkatës; (ii) cenimin e
pavarësisë funksionale të OSHP-së; (iii) ndërhyrjen në kompetencën e pushtetit gjyqësor
për të vlerësuar ligjshmërinë e vendimmarrjes së OSHP-së; dhe (iv) cenimin e të drejtave
dhe lirive themelore të anëtares së shkarkuar të OSHP-së. Pretendimet e parashtruesve të
kërkesës u kundërshtuan nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Në kontekst të çështjeve të mësipërme, Aktgjykimi fillimisht vë theks në faktin që,
rrethanat dhe pretendimet e lartcekura, ndër tjerash, kanë ngritur çështje që ndërlidhen
me: (i) kompetencën kushtetuese të Kuvendit të Republikës së Kosovës për të mbikëqyrur
punën e institucioneve publike, të cilat, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, i raportojnë
Kuvendit si dhe kufizimet përkatëse në ushtrimin e këtij funksioni mbikëqyrës bazuar në
Kushtetutë dhe ligjet e miratuara nga Kuvendi; (ii) pavarësinë e Agjencive të Pavarura të
themeluara bazuar në nenin 142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës, përfshirë statusin
dhe pavarësinë funksionale e vendimmarrëse të OSHP-së sipas ligjeve të aplikueshme për
prokurimin publik; dhe (iii) kompetencën e Kuvendit që në ushtrimin e funksionit mbikëqyrës, të shkarkojë anëtarët e OSHP-së dhe kufizimet përkatëse bazuar në ligjet e
aplikueshme për prokurimin publik.
Në kontekstin e parimeve që burojnë nga analiza e parimeve kushtetuese, Aktgjykimi
fillimisht sqaron që Kuvendi e ushtron funksionin e tij bazuar, ndër të tjera, në nenin 4
[Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe nenin 65 [Kompetencat e Kuvendit] të
Kushtetutës, përfshirë kompetencën për të (i) miratuar ligje, rezoluta dhe akte tjera të
përgjithshme; dhe (ii) për të mbikëqyrur punën e Qeverisë dhe të institucioneve tjera
publike, të cilat, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, i raportojnë Kuvendit. Sipas sqarimeve
të dhëna në Aktgjykim, që të dy këto kompetenca, përbëjnë thelbin e funksionit kushtetues
të Kuvendit. Thënë këtë dhe bazuar, ndër të tjera, në nenet 65 [Kompetencat e Kuvendit]
dhe 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës, në kontekst të kompetencës kushtetuese të
mbikëqyrjes, Kuvendi është i kushtëzuar në ushtrimin e këtij funksioni në pajtueshmëri me
(i) dispozitat kushtetuese, përfshirë ato të përcaktuara me nenet 3 [Barazi para Ligji], 4
[Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe 7 [Vlerat] të Kushtetutës, respektivisht; dhe
(ii) kufijtë dhe autorizimet e përcaktuara në ligjet e miratuara nga vet Kuvendi përkitazi me
institucionet publike që i raportojnë/mbikëqyren nga Kuvendi. Sipas sqarimeve të dhëna
në Aktgjykim, në kontekst të ushtrimit të funksionit mbikëqyrës të Kuvendit lidhur me
Agjencitë e Pavarura të themeluara bazuar në nenin 142 [Agjencitë e Pavarura] të
Kushtetutës, në kuadër të të cilave hyn edhe OSHP-ja bazuar në karakteristikat e saj sipas
ligjeve të aplikueshme të prokurimit publik, por edhe vet Ligjin nr. 06/L-113 për
Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura, rëndësi të veçantë ngërthejnë kufizimet mbikëqyrëse të Kuvendit bazuar në paragrafin 9 të
nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës në ndërlidhje me paragrafin 1 të nenit
142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës dhe ligjet që ndërlidhen me prokurimin publik në
Republikën e Kosovës, siç janë miratuar nga vet Kuvendi.
Aktgjykimi tutje sqaron se, përderisa bazuar në nenin 142 [Agjencitë e Pavarura] të
Kushtetutës, Agjencitë e Pavarura themelohen me ligje të Kuvendit dhe të cilat, rregullojnë
themelimin, funksionimin dhe kompetencat e tyre, të njëjtat, bazuar në nenin e lartcekur
të Kushtetutës, funksionet e tyre i kryejnë në mënyrë të pavarur nga çdo organ ose autoritet
tjetër në Republikën e Kosovës dhe për më tepër, secili organ, institucion ose autoritet
tjetër, që ushtron pushtet legjitim në Republikën e Kosovës, është i detyruar të
bashkëpunojë dhe t’u përgjigjet kërkesave të tyre gjatë ushtrimit të kompetencave ligjore,
në pajtim me ligj. Për më tepër, bazuar në dispozitat e Ligjit nr.04/L-042 për Prokurimin
Publik të Republikës së Kosovës dhe ndryshimet dhe plotësimet respektive të këtij ligji,
ndër tjerash, (i) OSHP është organ i pavarur shqyrtues dhe ushtron autoritetin,
kompetencat, funksionet dhe përgjegjësitë e përcaktuara në Ligjin për Prokurimin Publik;
dhe (ii) asnjë person ose zyrtar publik nuk mund të ushtrojë ose të përpiqet të ushtrojë
ndikim politik ose ndikim të paligjshëm në OSHP apo ndaj ndonjë punonjësi të tij për
ndonjë vendim. Më tej dhe sipas sqarimeve të dhëna, Ligji i lartcekur, përcakton raportin e
OSHP-së me pushtetin gjyqësor dhe pushtetin legjislativ. Në kontekst të të parit, ligji i
aplikueshëm përcakton që ligjshmëria e vendimmarrjes së OSHP-së i nënshtrohet
kontrollit gjyqësor. Ndërsa, në kontekst të të dytit, ligji i aplikueshëm përcakton raportin në
mes të Kuvendit dhe OSHP-së, ndërlidhur me emërimin e anëtarëve të OSHP-së, detyrimet
e raportimit dhe shkarkimin e anëtarëve të OSHP-së. Lidhur me këtë të fundit, sipas sipas
sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, marrë parasysh rëndësinë e pavarësisë funksionale të
OSHP-së, ligjet e aplikueshme, ndër vite, kanë saktësuar që shkarkimi i anëtarëve të OSHP-
së mund të bëhet vetëm pasi arsyet për shkarkim të vërtetohen përmes vendimmarrjes së
gjykatave, ndërsa me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Prokurimin Publik të marsit të
vitit 2016, përjashtimisht, është përcaktuar edhe mundësia që Qeveria t’i propozojë
Kuvendit shkarkimin e kryetarit apo një anëtari të OSHP-së, “nëse ai/ajo vepron në
kundërshtim me etikën profesionale që ndërlidhet me detyrat e tij/saj”, bazë mbi të cilën ka
rezultuar shkarkimi i anëtares së OSHP-së në rrethanat e rastit konkret.
Megjithatë, bazuar në sqarimet e dhëna në Aktgjykim, as Qeveria dhe as Kuvendi nuk kanë
dhënë asnjë arsyetim lidhur me cenimin e pretenduar të “etikës profesionale” të anëtares së
OSHP-së, bazë kjo mbi të cilën ishte bërë propozimi dhe shkarkimi i saj. Komisioni për
Buxhet, Punë dhe Transfere i Kuvendit i kishte rekomanduar këtij të fundit të mos e
miratojë propozimin e Qeverisë për shkarkim. Për më tepër, Gjykata Themelore dhe ajo e
Apelit, kishin hedhur si të palejuar padinë dhe ankesën e Ministrisë së Shëndetësisë për
anulimin e Vendimit të OSHP-së. Në fakt, bazuar në rrethanat e rastit, rezulton që anëtarja
e OSHP-së është shkarkuar për vendimmarrjen e saj lidhur me nxjerrjen e Vendimit të
OSHP-së për anulimin dhe kthimin në rivlerësim të Njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë
për anulimin e aktivitetit përkatës të prokurimit.
Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim dhe duke u mbështetur në garancitë kushtetuese
dhe ligjore, si dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës, përfshirë në kontekst të shkarkimeve të
anëtarëve të institucioneve/agjencive dhe/ose organeve të pavarura për shkak të vendimmarrjes, Gjykata thekson që pavarësia individuale dhe kolegjiale e anëtarëve të
OSHP-së, nënkupton jo vetëm pavarësinë përballë ndikimeve të jashtme që mund të kenë
anëtarët e OSHP-së, por edhe përballë ndikimeve nga organi, i cili i ka emëruar në pozitat
përkatëse – në këtë rast, Kuvendi. Kjo pavarësi ngërthen qëllimin që anëtarët e organeve
përkatëse të jenë të lirë të ushtrojnë funksionet e tyre pa frikën e pasojave për kryerjen e
funksioneve të tyre bazuar në autorizimet e dhëna përmes ligjeve të aplikueshme. Këto të
fundit, për aq sa është relevante në rrethanat e rastit, përcaktojnë saktë që (i) ligjshmëria e
vendimmarrjes së OSHP-së, i nënshtrohet kontrollit gjyqësor; ndërsa (ii) anëtarët e OSHP-
së, suspendohen dhe/ose largohen nga detyra, me rastin e ngritjes së një aktakuze apo një
vendimi gjyqësor të formës së prerë, respektivisht. Mundësia e shkarkimit të një anëtari të
OSHP-së për “etikë profesionale” nuk mund të përdoret në mënyrë formaliste për të
arsyetuar shkarkimin e një anëtari të OSHP-së për vendimmarrje në raste konkrete, nëse
nuk argumentohet në mënyrë bindëse shkelja e rregullave të “etikës profesionale”. Një
precedent i tillë, bazuar në të cilin anëtarët e OSHP-së do të mund të shkarkoheshin për
vendimmarrjen e tyre, do të cenonte thellë pavarësinë funksionale të OSHP-së dhe vet
qëllimin e ekzistencës së saj, sipas përcaktimeve të ligjeve të aplikueshme.
Gjykata në Aktgjykimin e saj, përfundimisht ka ritheksuar që është i padiskutueshëm
autorizimi i Kuvendit që bazuar në paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të
Kushtetutës të mbikëqyrë OSHP-në, por që në ushtrimin e këtij autorizimi, Kuvendi është i
kufizuar në dispozitat kushtetuese, përfshirë pavarësinë e Agjencive të Pavarura sipas
përcaktimeve të vet Kushtetutës dhe ligjeve të cilat vet Kuvendi i ka miratuar bazuar në
paragrafin 1 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës. Aktgjykimi gjithashtu vë
theks në vlerat e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, përfshirë parimet e
respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, sundimit të ligjit dhe ndarjes e ndërveprimit
të pushteteve, të cilat janë shtjelluar përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës, ndër vite,
përfshirë në kontekst të rëndësisë së pavarësisë në vendimmarrje në ushtrimin e
funksioneve publike sipas përcaktimeve të Kushtetutës dhe ligjeve të aplikueshme.
Ky Aktgjykim do të plotësohet edhe me mendim mospajtues.
Vërejtje:
Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretariati i Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti
i plotë i vendimit do t’u dorëzohet palëve të përfshira në rast, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës
dhe në Gazetën Zyrtare, pasi të jenë përfunduar procedurat përkatëse të përcaktuara në Ligjin për
Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës. Përmbledhja e publikuar përmes këtij Njoftimi
mund t’i nënshtrohet korrigjimeve gjuhësore dhe teknike në draftin final të vendimit. Për të pranuar
njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: