Atë që e kishte bërë në janar të vitit të kaluar, duke e emëruar aktivistin e Vetëvendosjes Rilind Gërvallën në krye të disa kanaleve të RTK’së, Bordi i këtij televizioni i dirigjuar nga pushteti, siç merr vesh Gazeta Express, është përfshirë në një operacion tjetër, atë për rrëzimin e drejtorit aktual të Radiotelevizionit të Kosovës Shkumbin Ahmetxhekaj.
Gazeta mëson se me këtë ndërmarrje po synohet sjellja e Adrian Krastës si drejtues i përkohshëm i televizionit. Bordi i RTK’së e kishte emëruar Adi Krastën, si zëvendësdrejtor të Përgjithshëm në Radiotelevizionin e Kosovës, në fillim të vitit të kaluar.
Zyrtarë të Vetëvendosjes mësohet se tashmë ‘i kanë përvjelë” mëngët për ta kryer këtë detyrë duke e kontaktuar secilin anëtar të Bordit të RTK’së.
Ky veprim dhe shkarkim eventual i Ahmetxhekajt në këtë mënyrë do t’i shkaktojë telashe RTK’së me organizatën EBU ku televizioni edhe pse jo anëtar por me një status special. Në fillim të vitit RTK në kërkesë të nënshkruar nga Ahmetxhekaj ka kërkuar që Kosova të lejohet të marrë pjesë në kontestin evropian të këngës Eurovision 2025.
Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) e kishte vlerësuar hap pozitiv për transmetuesin publik zgjedhjen e Shkumbin Ahmetxhekajt drejtor të përgjithshëm të RTK-së më 2022. Ahmetxhekaj kishte ardhur në këtë pozitë pasi për pesë muaj kishte qenë ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, transmetuesit publik të Kosovës. Ai ishte zgjedhur me tetë vota pro dhe një abstenim.
Ka reaguar edhe Qendra Evropiane për Liri të Mediave dhe Shtypit të cilë I kanë dërguar një letër kreut të Bordit të RTK-së, Besnik Boletini, përmes të cilës shprehin shqetësimet për krizën në rritje brenda Transmetuesit Publik dhe lidhur me presionin që po ushtrohet për të larguar Drejtorin e Përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj, shkruan Gazeta Express.
Siç thuhet në këtë letër të ECMPF, ish-raportuesja e Parlamentit Evropian, Viola Von Cramon, në raportimin e bërë më 15 janar kishte përmendur përpjekjet për zvëndësimin e Ahmetxhekajt me një individ pro-qeveritar.
“Ne ju shkruajmë për t’ju kujtuar se çdo ndërhyrje politike në menaxhimin e transmetuesit publik do të ishte një akt tepër antidemokratik dhe roli juaj si anëtarë të bordit është të rezistoni ndaj të gjithë këtyre presioneve”, thuhet në letër.
Përveç kësaj, në letër theksohet se Ahmetxhekaj është emëruar Drejtor në vitin 2022 përmes një procedure të hapur dhe i njejti ka udhëhequr reformat brenda RTK-së.
“Procesi i emërimit u konsiderua nga Bashkimi Evropian dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë si bazuar në meritë dhe u mirëprit nga organizatat ndërkombëtare dhe ambasadat e huaja të pranishme në Kosovë”, thekson letra, raporton Express.
Gjithashtu përmendet edhe fakti se përkundër mungesës së një modeli të financimit dhe gjendjes së rëndë të financimit, menaxhimi i Transmetuesit Publik është përmirësuar dukshëm, gjë që potencohet edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit.
ECMPF thotë se një sukses i till është arritur falë punës së përbashkët mes bordit dhe Drejtorit të Përgjithshëm.
“Megjithëse transmetuesi publik RTK nuk ka një model të qëndrueshëm financimi dhe aktualisht është në pikën më të ulët të financimit në një dekadë, menaxhimi i tij financiar është përmirësuar ndjeshëm siç është theksuar në reagimin tuaj të fundit dhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit. Për më tepër, sipas një sondazhi, transmetuesi publik është aktualisht stacioni i dytë më i besueshëm televiziv në Kosovë. Një sukses i tillë është rezultat i punës së përbashkët të bordit të RTK-së dhe drejtorit të përgjithshëm, duke treguar se transmetuesi i Kosovës po përmbush misionin e tij për t’i shërbyer publikut”, vijon letra.
Kjo organizatë ndërkombëtare kanë bërë thirrje tek kreu i Bordit të RTK-së që të veprojnë me kujdes, që RTK t’i shërbejë publikut dhe jo intereave politike.
“Ne ju lutemi të konsideroni me kujdes vendimet tuaja të ardhshme dhe të siguroheni që transmetuesi publik të vazhdojë t’i shërbejë publikut dhe jo interesave politike. Liria e medias, në përgjithësi, dhe reformat e vazhdueshme në transmetuesin publik në veçanti, do të dëmtohen dhe minohen seriozisht nëse ndryshimet e motivuara politikisht në menaxhimin e transmetuesit publik janë të suksesshme”, potencohet në letër.
Në fund thuhet se shkarkimi i Drejtorëve nga arsye të motivuara politike e kërcënon lirinë e medias, si vlerë e Këshillit të Evropës, BE-së dhe EBU-së.
“Ne kemi parë nga monitorimi ynë i kërcënimeve në të gjithë Evropën se sa e lehtë është për qeveritë të minojnë pavarësinë e transmetuesve publikë dhe sa serioze mund të jenë pasojat e një politizimi të tillë për shoqërinë në tërësi. Shkarkimi i drejtorëve të transmetuesit publik për arsye të motivuara politikisht kërcënon lirinë e medias, që janë vlera themelore të Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian dhe Unionit Evropian të Transmetuesve”, përdundon letra.
Të shqetësuara kanë reaguar edhe Federatat Evropiane dhe Ndërkombëtare të Gazetarëve (EFJ-IFJ) duke shprehur shqetësimet për krizën brenda Transmetuesit Publik të Kosovës RTK. Në reagim EFJ dhe IFJ kërkojnë nga bordi i RTK-së që të sigurojë që transmetuesi publik të vazhdojë t’i shërbejë publikut dhe jo interesave politike./GazetaExpress/