-11.4 C
New York
Tuesday, January 21, 2025

Buy now

Pushteti në aksion kundër Prokurorisë Speciale – mbrojnë njeriun e tyre pas arrestimit për korrupsion

- Advertisement -

Qeveria e Albin Kurit dhe partia që ai drejton s’kanë ngurruar që të marrin meritat për liberalizimin e vizave, duke thënë se kjo po ndodh edhe për shkak të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Megjithatë s’ngurojnë të sulmojnë dhe linçojnë Prokurorinë dhe prokuror me emra të veçantë kur subjekt i arrestimit janë njerëzit e Lëvizjes Vetëvendosje, siç është rasti i Kryeshefit të KEK-ut, i dyshuar për tri vepra penale.

Të mërkurën Prokuroria Speciale e Kosovës ka arrestuar kryeshefin ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqin e Lëvizjes Vetëvendosje, për shkak të dyshimeve të bazuara se i njëjti ka kryer veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “ushtrim i ndikimit” dhe veprën penale “konflikt i interesit”. Të njëjtit i është caktuar masa a ndalimit për 48 orë.

Lidhur me rastin një njësi e Veçantë e hetimeve gjithashtu kishte bastisur zyrën e Krasniqit në KEK dhe dy banesat e tij në dy lokacioni të ndara në Prishtinë. Gjatë këtyre bastisjeve janë sekuestruar dokumente të ndryshme që lidhen me rastin, tre kompjuter, një llap-top, një telefon, dhe një USB.

Ky arrestim i njeriut të Vetëvendosjes që Kurti e kishte përzgjedhur që ta vendoste në krye të KEK-ut, ka bërë që deputetë e figura të larta të Lëvizjes Vetëvendosje t’i sulen Prokurorisë dhe pretendentit për Kryeprokuror, Blerim Isufajt.

Një prej njerëzve që portretizohet si më me ndikim në partinë që Kurti drejton, Dejona Mihali, ka atakuar direkt Prokurorin Blerim Isufaj, duke e përmendur heqjen e fletarrestit për Milan Radojiçiqin.

“Do të shihni këto javë e muaj shumë urdhra nga Prokuroria Speciale. Vjet në këtë kohë bën shumë përpjekje. Shumë hetime, shumë vepra të vjetra të aksioneve tona politike, çdo deklaratë të vitit 2020 për ministrat e kthyen në hetim. Pas një viti prapë. Prokuroria Speciale e Blerim Isufajt në veprim. Pse do të thoni ju? Kur ja heq një herë në jetë fletëarrestin kryekriminelit Millan Radojciq çka mendoni ju se mund të bëj tjetër një prokuror si Blerim Isufaj përveçse të zhytet edhe më thellë në ujëra të zeza. Por qesh mirë kush qesh i fundit. Prokuror Elezin e detyruan të braktiste Kosovën se nuk ua ‘pastroi’ rastin VETERANËT.  Po ne nuk ikim. Jemi shumë. Edhe të vendosur. Kosova SHTET I SË DREJTËS”, ka shkruar Mihali.

Sulmin ndaj Prokurorisë dhe Blerim Isufajt kanë vazhduar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje. Adnan Rrustemi ka shkruar se si, sipas tij, Prokuroria s’ka ndërmarrë veprime për ata që i vendosen barrikadat në veri e për qindra dosje të dorëzuara, derisa tash po e arrestojnë “Kryeshefin e KEK-ut nga LVV”, raporton Express.

Siç pretendon Rrustemi, arrestimi i Nagip Krasniqit “është bërë me porosi”

“Asnjë aktakuzë e arrestim për një muaj me 16 barrikada në veri, asnjë aktakuzë për qindra dosje të dorëzuara, e mos të flasim që deri para dy viteve ishin aty ku janë si prokurorë për të mbrojtur korrupsionin përmes aktakuzave qëllimisht të dobëta, por ju hodh sipër kryeshefit të KEK-ut nga LVV! Me porosi atëherë, me porosi gjithmonë, me porositës të njëjtë!”, ka shkruar Rrustemi.

Më shumë bujë ka bërë reagimi i deputetit të VV-së, Halil Thaçi , për shkak të gabimeve drejtshkrimore. Thaçi ka shkruar se është gëzuar kur ka dëgjuar për arrestimin e Nagip Krasniqit, meqë thotë se është frikësuar gjithmonë se “do ta dëgjoj lajmin mbi atentatin ndaj tij”.

Thaçi ka shkuar aq larg, duke thënë se Policia duhet ta ruaj Krasniqin meqë “atentati ndaj ti mund të ndodh edhe në mbajtje”

“Është lajm i mirë kur dëgjova për arrestimin e Drejtorit të Kek-ut, pasi gjithmonë jamë friksuar se do të dëgjoj lajmin mbi atentatin ndaj tij, duke e ditur se sa banditëve ju ka ndalë zhvatjen e KEK-ut.

Policia duhet të jetë e vëmendshme për sigurinë e tij , mbase atentati ndaj tij mund të ndodhë edhe aty në mbajtje”, ka shkruar Halil Thaçi i VV’së.

Sulmin ndaj Blerim Isufajt e ka vazhduar edhe deputeti tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj. Rexhaj ka pyetur se kush është Blerim Isufaj që s’po e duan për kryeprokuror Kurti, Osmani e Konjufca.

“Kush është ky Blerim Isufaj që nuk e duan për kryeprokuror asnjëri nga tre krerët shtetëror (Presidentja, Kryeministri e Kryeparlamentari) e megjithatë don që me çdo kusht e për çfarëdo çmimi të bëhet Kryeprokuror?! Ai ka siklet të madh diku e mbështetje jo të vogël prej ndokujt”, ka shkrua Rexhaj.

Edhe bashkëvendësi i Rexhajt, Artan Abrashi ka shkruar në profilin e tij duke thënë se “A po hakmerret ai që s’po arrin të bëhet kryeprokuror”.

Ligjerimin e njejtë e ka pasur edhe kryeministri Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës kur ka polemizuar me opozitën lidhur me arrestimin e Krasniqit.

Lidhur me këto sulme nga partia në pushtet ka reaguar Këshilli Prokurorial i Kosovës, duke kundërshtuar fuqishëm dhe duke shprehur indinjatën për sulmet nga deputetët e Vetëvendosjes.

KPK në reagim thotë se këta deputetë dhe zyrtar të LVV-së kanë përdorur gjuhë të papranueshme dhe tendencioze lidhur me punën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës  Blerim Isufaj.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit