Shkruan: Besa Ismaili
Kosova në fjalë thotë se dëshiron integrim në Bashkimin Evropian, por veprimet konkrete të pushtetit aktual e përgënjeshtrojnë këtë pretendim.
Duke shkelur Kushtetutën dhe duke mohuar përfaqësimin politik të serbëve, ky pushtet e ka kthyer demokracinë në një instrument të manipulimit dhe jo në një mekanizëm të përfaqësimit real.
Pushteti aktual nuk i trajton serbët si qytetarë të barabartë të Kosovës, pjesë e Kuvendit dhe jetës politike, por si një entitet të huaj që duhet izoluar, autonomizuar dhe ndarë. Ky është një projekt i rrezikshëm politik, që shkon përtej populizmit: është një logjikë e përjashtimit dhe e fragmentimit që minon themelin e shtetit multietnik.
Në vend që të forcohet pluralizmi politik brenda komunitetit serb dhe të inkurajohet integrimi i tyre në shoqëri, pushteti ka përdorur çdo mjet për të kontrolluar e për të shtrembëruar përfaqësimin e tyre. Kjo nuk është thjesht shkelje e Kushtetutës, por është një formë e sofistikuar e manipulimit politik që rrezikon të shkatërrojë procesin e demokratizimit në Kosovë.
Shumica shqiptare nuk ka qenë dhe nuk është e rrezikuar nga pakicat, as nga serbët, ne rrezikohemi nga populizmi i pushtetit të Kurtit.
Në vend që të ndërtohet një shtet funksional dhe gjithëpërfshirës, është ndërtuar një sistem i mbijetesës politike përmes përjashtimit dhe instrumentalizimit të pakicave.
Ky populizëm ka një kosto të qartë: e bën të pamundur integrimin evropian. Bashkimi Evropian nuk pranon shtete që shkelin përfaqësimin politik të pakicave dhe e përdorin demokracinë si fasadë. Kosova nuk mund të ecë drejt Brukselit duke përjashtuar dhe ndërtuar mure brenda shoqërisë së vet, duke autonomizuar serbët jashtë institucioneve të Republikës sonë.