22 C
New York
Monday, May 19, 2025

Buy now

Punëtorja denoncon padrejtësitë: Prokuroria të ndërhyjë në Trepçë

- Advertisement -

Valdete Shabani po bën thirrje që Prokuroria të ndërhyjë në ndërmarrjen “Trepça”, për siç thotë ajo, shpëtuar punëtorët që po u shkelen të drejtat.

Për 14 vite rresht ky ishte vendi i saj i punës.

Por që nga shtatori i vitit 2024, Valdete Shabani nuk punon më aty.

Kjo pasi Shabani, e cila punonte si shefe e shërbimit logjistik dhe administrativ në Flotacion në Stantërg është zhvendosur dy herë nga pozita e saj nga menaxhmenti i ndërmarrjes “Trepça”.

Siç thotë ajo, fillimisht është dërguar si Zyrtare e Logjistikës në njësinë biznesore në Metalurgji të Zinkut, e më pas Përgjegjëse e Depove në njësinë biznesore në Flotacion në Kishnicë.

Shabani thotë se ky ndryshim i ka shkaktuar asaj edhe probleme shëndetësore, për shkak që siç thekson ajo, nuk mundet të punojë punë të rënda fizike.

“Këta kanë qenë në dijeni që unë kam pasur probleme, por janë munduar ta mohojnë një gjë të tillë. Kjo gjendje mua më është vështirësuar shumë posaçërisht kur më kanë dërguar në Kishnicë, që ka qenë një udhëtim 110 km në ditë, e në vendin që ata më kanë dërguar ka qenë një punë që unë se kam punuar ka qenë depo kur unë çdo herë jam përballur me pasha të rënda të materialeve”, ka thënë ajo.

Shabani thotë se pas kësaj situate të krijuar, iu është drejtuar organeve kompetente.

Siç bën të ditur ajo, Inspektorati i Punës ka gjobitur në shumë prej 3000 eurosh ndërmarrjen “Trepça” për transferimet e pajustifikuara.

“Në vendimin e inspektoratit janë të cekura disa shkelje që i kanë bërë ata. Po ashtu, ata i kanë dhënë një afat rreth 30 ditë që të më kthejnë mua në vendin e punës, unë këtë gjë nuk e pres, nuk pres që do të më kthejnë këta në vendin e punës duke kujtuar të gjitha shkeljet që m’i kanë bërë nuk e pres një gjë të tillë nga ta”, thotë Shabani.

Ajo ka edhe një apel për organet e drejtësisë.

“I ftoj edhe një herë Policinë e Kosovës e hetuesinë e Kosovës, edhe Prokurorinë e Kosovës që të ndërhyjnë në ndërmarrje ‘Trepça’ sa më shpejtë nëse duan t’i shpëtojnë punëtorët nga këto shkelje jo ligjore që janë bërë. Po ashtu edhe nëse duan të shpëtojnë ndërmarrjen të ec më tutje”, shprehet Shabani.

Tëvë1 ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga Inspektorati i Punës për ato se çfarë thotë Shabani, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Televizioni ka tentuar të kontaktojë edhe kryeshefin ekzekutiv të Trepçës, Faton Ahmeti, por as ky i fundit nuk ka qenë i qasshëm./Tëvë1/

Të ngjashme

Të fundit