Me kërkesë për rritje page, punëtorët teknikë të Kuvendit të Kosovës kanë hyrë në grevë. Kërkesa e tyre është që paga të rritet në 550 euro.
Punëtorët kanë thënë se nuk do të ndërpresin grevën derisa t’u plotësohen kërkesat e tyre.
Nazife Krasniqi, përfaqësuese e punëtoreve teknikë të Kuvendit të Kosovës, ka thënë për Ekonomia Online se kanë hyrë në grevë për shkak të pagave të ulëta, pasi për gati 3 vjet janë duke bërë kërkesa që pagat të rriten.
Sipas saj, operatori privat tashmë sa kohë nuk është duke u përgjigjur kërkesave të tyre, teksa kërkojnë që paga e tyre të jetë 550 euro.
“Ne kemi dalë sot të shfaqim pakënaqësitë tona që kemi për pagat shumë të ulëta. Kemi bërë kërkesa që tri vite pa ndërpre kërkesat i kemi pasur por operatori kurrë asnjë herë nuk është përgjigjur as më bërë takim me ne. Në fillim të korrikut kemi bërë një protestë me paralajmërim që në do të hymë në grevë nëse nuk ndërmerret diçka me na rrit pagat tona. Pagat ne i kemi shumë të ulët 275 euro ne i kemi pagat mujore këtu. Punojmë 8 orë, kur është seanca ne punojmë me orar të stërzgjatur, nuk paguhemi, udhëtimi nuk na paguhet, shujta e ushqimit nuk na paguhet, nuk na paguhet, që 20 vjet punoj mua nuk me paguhet as një ditë shtesë”.
“Tash për tash paga është shumë e ulët, të gjitha institucionet paga kanë lëvizur janë bërë 405 euro këtu të na nuk ka lëvizur asgjë. Kërkesa jonë është 550. Patjetër, ne nuk e ndërpresim grevën deri në plotësimin e kërkesave”, ka thënë ajo.