19.7 C
New York
Sunday, May 4, 2025

Buy now

Punëtorët shqiptarë ndër më të angazhuarit në Evropë, por me mirëqenie mendore tejet të cunguar

- Advertisement -

Raporti i vitit 2025 i Gallup mbi Gjendjen e Vendeve të Punës në Botë, e reflekton Shqipërinë të tillë, me punonjës shumë të angazhuar në detyrat e tyre, po me mirëqenie mendore tejet të cunguar.

Punonjësit në Shqipëri kanë një gradë të lartë angazhimi në punë, sipas një anketimi të fundit të realizuar nga Gallup. Mirëpo njëkohësisht, ata janë ndër më të stresuarit dhe një pjesë e lartë, mendojnë në mënyrë aktive se si të lënë punën, apo të gjejnë një mjedis më motivues për ta.

Raporti i vitit 2025 i Gallup mbi Gjendjen e Vendeve të Punës në Botë, e reflekton Shqipërinë të tillë, me punonjës shumë të angazhuar në detyrat e tyre, po me mirëqenie mendore tejet të cunguar.

I ndarë në disa pika, anketimi i Gallup tregon se Shqipëria shfaq rritje sa i takon angazhimit të punonjësve në punë, duke mbajtur vendin e dytë në Evropë, pas Rumanisë.

Mirëpo kur vjen puna te vlerësimi i jetës së tyre, ata radhiten në vendin e 28-ë, shumë larg fuqive evropiane si Finlanda, Islanda, Danimarka, apo Suedia, të cilat prej vitesh mbretërojnë në vlerësimin e cilësisë së jetës nga punonjësit, për shkak si të pagave të larta, ashtu edhe të benefiteve në termat e pushimeve, apo mjedisit të mirë të punës.

Stresi te punonjësit shqiptarë është shumë i lartë. E pranojnë 46% e punonjësve se kanë stres të vazhdueshëm në mjedisin e tyre të punës. Shqipëria në këtë aspekt reflekton të dhëna më të larta edhe se rajoni, i cili shfaqet më mirë.

 

Inati, apo episodet e mllefit, po ashtu janë të lartë në Shqipëri, edhe pse shfaqen më rrallë se sa në vende të tjera evropiane.

Mërzia ndërkaq është ditore dhe e rregullt në një në pesë punonjës shqiptarë, të cilët shënojnë në anketë se ata në mënyrë ditore kanë ndjesi mërzie dhe të tjera të ngjashme.

Vetmia radhitet po ashtu si faktor tejet shqetësues, e matur për të parën herë nga Gallup gjatë vitit 2025. Shqiptarët janë të dytët më të vetmuarit dhe vetëm qipriotët e tejkalojnë shifrën.

Në bazë të studimit, dy në pesë punonjës shqiptar përjetojnë vetminë rregullisht, në terma ditorë.

Klima e punës është mesatare, ku në fakt një shumicë prej 59% e shqiptarëve mendojnë se në zonën ku ata jetojnë, është një kohë e përshtatshme për të gjetur sot një punë. Pra, nuk ka vështirësi të mëdha në treg, apo në profilet e tyre.

Matja e fundit, e cila ngre po ashtu shqetësim, është fakti se thuajse katër në dhjetë punonjës në mënyrë aktive kërkojnë të gjejnë një punë tjetër dhe të lënë atë aktualen. Lajmi i vetëm i mirë në këtë aspekt është fakti se shifra është ulur, nga 42% që ka qenë më parë, ndërsa tani është 36%.

 

Të ngjashme

Të fundit