Punëtorët dhe aktivistët në mbarë botën e shënuan të hënën Ditën e 1 Majit me protesta përmes të cilave kërkonin paga më të larta, ulje të orarit të punës dhe, në përgjithësi, kushte më të mira pune.
Në Kosovë janë paralajmëruar gjithashtu protesta – nga Federata Sindikale e Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat të Kosovës, që kërkon rritjen e pagave, dhe nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, që marshon kundër shtypjes së klasës punëtore.
Ndërkohë, në Francë, sindikatat kanë planifikuar demonstrata masive për të protestuar ndaj nismës së presidentit Emmanuel Macron për ta rritur moshën e daljes në pension nga 62 në 64 vjeç. Organizatorët e shohin reformën e pensioneve si kërcënim për të drejtat e punëtorëve dhe rrjetin e sigurisë sociale të Francës.
Projektligji i pensioneve shkaktoi protestat më të mëdha në Francë që shumë citë dhe tubimet e 1 majit pritet të jenë ndër më të mëdhatë deri më tani.
Qindra mijëra njerëz protestojnë në Francë kundër reformës në pensione
Dita e 1 Majit shënohet në shumë vende me protesta, festime, marshime dhe ngjarje të tjera. Ngjarjet e këtij viti patën pjesëmarrje më të madhe se në vitet e mëparshme, pasi kufizimet shkaku i pandemisë COVID-19 janë liruar në mënyrë drastike.
Ashtu si në vitet e mëparshme, policia në Turqi e pengoi një grup demonstruesish të arrinte në sheshin kryesor të Stambollit, Taksim, dhe arrestoi disa protestues, sipas raportimeve nga stacioni televiziv i pavarur, Sozcu. Edhe gazetarët, që përpiqeshin t’i incizonin protestuesit duke u zhvendosur me forcë në veturat e policisë, u shtynë ose u morën në mbajtje policore.
Sheshi Taksim ka rëndësi simbolike për sindikatat e Turqisë pasi persona të armatosur dhe të panjohur kishin hapur zjarr ndaj njerëzve që festonin Ditën e 1 Majit në Taksim në vitin 1977, duke lënë dhjetëra njerëz të vrarë.
Qeveria e Presidentit Recep Tayyip Erdogan i ka ndaluar me ligj demonstratat në Taksim, duke çuar kështu deri në përleshje të shpeshta midis policisë dhe protestuesve që përpiqen të arrijnë në shesh. Ndërkohë, grupe të vogla u lejuan të hynin në Taksim për të vendosur kurora me lule në një monument atje.
Në Pakistan, autoritetet kanë ndaluar tubimet në disa qytete për shkak të situatës së tensionuar të sigurisë. Në Peshawar, në veriperëndimin të vendit me plot trazira, organizatat e punës dhe sindikatat mbajtën ngjarje në ambiente të mbyllura për të kërkuar të drejta më të mira të punëtorëve.
Udhëheqësi i laburistëve, Saifullah Khan, tha se inflacioni dhe kushtet ekonomike në vend po e bëjnë jetën e njerëzve një mjerim.
Në Korenë e Jugut, dhjetëra mijëra njerëz morën pjesë në tubime të ndryshme, më të mëdhatë që nga fillimi i pandemisë në fillim të vitit 2020. Dy tubimet kryesore në kryeqytet, Seul, pritej të tërhiqnin rreth 30.000 njerëz secila, sipas organizatorëve.
“Çmimi i çdo gjëje është rritur përveç pagave tona. Na rrisni pagat minimale!”, bërtiste një aktivist në një tubim në Seul. “Zvogëlojeni orarin tonë të punës!”
Pjesëmarrësit e tubimit akuzuan qeverinë konservatore të presidentit Yoon Suk Yeol për shtypjen e disa sindikatave në emër të reformave.
Në Indonezi, pjesëmarrësit në një tubim kërkuan nga qeveria ta shfuqizojë një ligj për krijimin e vendeve të punës, nga i cili ata argumentojnë se do të përfitonin bizneset në kurriz të punëtorëve dhe mjedisit.
“Ligji për krijimin e vendeve të punës duhet të shfuqizohet për hir të përmirësimit të kushteve të punës”, tha protestuesi Sri Ajeng në një tubim. “Është i formuluar ashtu që të përfitojnë vetëm punëdhënësit, jo punëtorët”.
Në Tajvan, mijëra punëtorë dolën në rrugë për të protestuar ndaj asaj që ata e quajnë papërshtatshmëri të politikave të punës të ishullit të vetëqeverisur, duke ushtruar presion mbi partinë në pushtet para zgjedhjeve presidenciale të 2024-ës.
Të grumbulluar në kryeqytetin Taipei, anëtarët e grupeve të punës valëvitën flamuj që përfaqësojnë organizatat e tyre. Disa punonjës mjekësorë mbanin pankarta me mesazhe që bënin thirrje për subvencione, ndërsa të tjerë mbanin pankarta që kritikonin politikat e punës të presidentes Tsai Ing-wen.
Në Liban, qindra anëtarë të Partisë Komuniste dhe të sindikatës tregtare, si dhe një grup punëtorësh migrantë, marshuan nëpër rrugët e qendrës së Bejrutit. Vendi është duke u përballur me një krize ekonomike dhe inflacion në rritje, me rreth tre të katërtat e popullsisë që tani jetojnë në varfëri.
Në Korenë e Veriut, gazeta kryesore e vendit, Rodong Sinmun, botoi një editorial të gjatë duke u kërkuar punëtorëve t’i japin mbështetje më të madhe udhëheqësit Kim Jong Un, të përmbushin kuotat e tyre të prodhimit dhe të përmirësojnë jetesën publike.
Protestat në Gjermani nisën me një tubim “Take Back the Night” të organizuar nga grupet feministe dhe të komunitetit LGBTQ+ në prag të 1 Majit për të protestuar kundër dhunës së drejtuar ndaj grave dhe personave të komunitetit LGBTQ+.
Disa mijëra njerëz morën pjesë në këtë marshim, i cili ishte kryesisht paqësor, pavarësisht përleshjeve të herëpashershme midis pjesëmarrësve dhe policisë. Të hënën në Gjermani janë planifikuar tubime të shumta të tjera nga sindikatat dhe grupet e krahut të majtë. /REL/