Sipas Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së (SPERTK), RTK prej disa javësh ndodhet në kolaps financiar dhe punonjësit nuk kanë marrë pagat e tyre, duke përjetuar vështirësi të mëdha për mbulimin e shpenzimeve bazike si ushqimi, qiratë dhe barnat.
Kryesia e sindikatës ka bërë të ditur se presionet nga bankat ndaj punëtorëve për pagesën e kredive po rrisin më tej pasojat sociale, ndërsa funksionimi normal i RTK-së është i rrezikuar.
SPERTK kërkon nga Presidentja Osmani që brenda kompetencave të saj të ndërhyjë për të garantuar funksionimin e institucionit publik, i cili sipas sindikatës ka rëndësi jetike për informimin e qytetarëve dhe demokracinë në vend.
Në letrën e saj, sindikata shpreh shpresën se ndërhyrja e menjëhershme e Presidentes do të shmangë thellimin e krizës sociale mes punëtorëve të RTK-së.






