Disa në tenda e disa jashtë tyre.
Kësisoj, tash e 12 ditë punëtorët e ndërmarrjes “Pastrimi”, po e vazhdojnë grevën e nisur para Komunës së Prishtinës.
Me të njëjtat kërkesa si ditën e parë, grevistët ishin edhe këtë të diel.
Miftar Shabani, i cili ka 42 vite që punon në këtë kompani, thotë se nuk e mban mend të ketë pasur ndonjëherë kaq keqmenaxhim.
“Unë i bëra 42 vite këtu, kësi menaxhimi të dobët nuk kemi pas ne, është kanë kohë lufte kemi punuar, është kanë pandemi kemi punuar pa asnjë cent 24 orë, është kanë masë e dhunshme kemi punuar nonstop. Kurrë se kemi pas kësi menaxhimi që me dal me qëndrua para Komunës e me qëndruar në rrugë”, thotë ky punëtor.
I pakënaqur me situatën e krijuar është edhe Blerim Hajdini.
“Jemi mërzitur se duan me na lënë pa punë, pa bukë, edhe ne nuk e kemi ndërmend me ndal grevën deri sa të plotësohen kërkesat e kushtet tona 100% nuk e ndërpresim grevën”, shprehet një tjetër punëtor i kompanisë “Pastrimi”.
Edhe grevisti Asllan Beqiri thotë se ndihet keq për gjendjen në të cilën janë, por ai shprehet optimist se do t’u plotësohen kërkesat.
“Na vjen keq prej qytetarëve që nuk mundemi me vazhdu shërbimin, ju kërkojmë falje që ne nuk mundemi me ju bë zgjidhje. Atë ditë që arrihet marrëveshja ne jemi të gatshëm menjëherë me i ndezë veturat me iu qitë nafta edhe me dal, secili shofer me punëtorët e vet, me vazhdu punën si gjithmonë”, thotë ai.
Nga opozita në kryeqytet konsiderojnë se kryetari Përparim Rama po tregohet i papërgjegjshëm.
“Kryetari Rama nuk është i përgjegjshëm ndaj gjithë kësaj situate si dhe po i lë punëtorët e ‘Pastrimi’ të bëjnë grevë për shkak të papërgjegjësisë së Komunës së Prishtinës. Ne kemi votuar një rregullore që i jep të drejtë kompanisë ‘Pastrimi’ për inkasimin e mbeturinave, e kryetari Rama ka bërë thirrje te qytetarët që të paguajnë mbeturina në Komunë të Prishtinës”, shprehet Besart Krasniqi, asamblesit i Vetëvendosjes në Prishtinë.
Mirëpo, sipas drejtorit të Shërbimeve publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, Komuna u ka ofruar një kontratë kompanisë “Pastrimi”, por sipas tij, këta të fundit e kanë refuzuar.
“E ka refuzuar kërkesën tonë për të pasur një kontratë me Komunë e Prishtinës, ne i kemi ofruar një kontratë në dhjetor të vitit 2024, i kemi ofruar një kontratë edhe në shkurt të viti 2025 janë refuzuar që të dy herët nga ndërmarrja ‘Pastrimi’, ne ju kemi bërë të qartë që angazhimi i operatorëve ekonomik privat ka vetëm tentativë për të bërë Prishtinën kryeqytetin më të pastër”, ka thënë Brestovci.
Brestovci konsideron se krejt ky problem do të zgjidhej nëse kryeshefi i “Pastrimit”, Petrit Reçica do të jepte dorëheqje.
“Unë mendoj se e drejta do të ishte që kjo grevë të organizohet në oborrin e ndërmarrjes ‘Pastrimi’ dhe me të vetmen kërkesë shkarkimin e kryeshefit Reçica, për shkak të menaxhmit dhe për shkak të ndërmarrjes në njërën anën dhe raportin me Komunën në anën tjetër në këtë pikë. E kjo ndoshta do të jepte një epilog fillestar për zgjidhjen e këtij problem për një të ardhme të afërt”, shprehet ai.
Greva e punëtorëve të ndërmarrjes “Pastrimi” ka filluar që nga data 21 maj, duke kërkuar pagesën e borxhit prej 2.7 milionë euro, ndërprerjen e kontratave me operatorë privatë dhe nënshkrimin e një kontrate bazike./teve1.info/