Punëtorët e “Pastrimit” në ditën e katërt të grevës para ndërtesës së Komunës së Prishtinës
Punëtorët e Kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastrimi” po vazhdojnë grevën para ndërtesës së Komunës së Prishtinës. Është dita e katërt grevës së tyre në tendë, raporton Ekonomia Online.
Ka disa ditë që ndërmarrja “Pastrimi” nuk po i grumbullon mbeturinat dhe sipas kësaj ndërmarrjeje është e detyruar ta ndërpresë shërbimin, për shkak të mospagesës së borxhit prej 2.7 milionë eurosh nga Komuna.
Komuna, nga ana tjetër, ka mohuar borxhin ndaj ndërmarrjes “Pastrimi” dhe ka akuzuar ndërmarrjen për sabotazh dhe se punëtorët po keqpërdoren për qëllime politike.
Ndërkohë, kryeqyteti është mbushur bërllok dhe është alarmuar për rreziqe shëndetësore, ndërsa Prokuroria është aktivizuar për të grumbulluar informata për situatën.
Më parë, në njoftimin e Sindikatës së “Pastrimit” për grevën thuhej se qëllimi i saj është shprehja e pakënaqësisë dhe kërkesës për zgjidhje emergjente ndaj situatës së rëndë financiare, ku
është futur ndërmarrja, “si pasojë e mosshlyerjes së obligimeve financiare nga Komuna”.

