Punëtorët e Kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastrimi” nisnë grevën e para ndërtesës së Komunës së Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
Ka disa ditë që ndërmarrja “Pastrimi” nuk po i grumbullon mbeturinat dhe sipas kësaj ndërmarrjeje është e detyruar ta ndërpresë shërbimin, për shkak të mospagesës së borxhit prej 2.7 milionë eurosh nga Komuna.
Nga ana tjetër, Komuna ka mohuar borxhin dhe ka akuzuar ndërmarrjen për sabotazh.
Ndërkohë, kryeqyteti është mbushur bërllok dhe është alarmuar për rreziqe shëndetësore, ndërsa Prokuroria është aktivizuar për të grumbulluar informata për situatën.
Përfaqësuesit e Sindikatës së kompanisë “Pastrimi” nuk pranuan të flasin për media këtë paradite
për grevën para Komunës së Prishtinës.
Më parë, në njoftimin e Shoqatës Sindikale të “Pastrimit” për grevën thuhej se qëllimi i saj është
shprehja e pakënaqësisë dhe kërkesës për zgjidhje emergjente ndaj situatës së rëndë financiare ku
është futur ndërmarrja, “si pasojë e mosshlyerjes së obligimeve financiare nga Komuna”.
“Formati i tubimit: Pjesëmarrës: rreth 300 punëtorë dhe të punësuar të KRM “Pastrimi”;
Vendndodhja: përreth objektit të Komunës së Prishtinës, me qëndrim të vazhdueshëm; Do të përdoren rreth 20 kamionë, të cilët do të parkohen në mënyrë të rregullt dhe pa bllokuar rrugët emergjente;
Greva do të jetë paqësore, pa ndërhyrje në veprimtarinë e organeve publike, dhe në koordinim me autoritetet policore”, thuhej në njoftim.



