Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), e udhëhequr nga ministrja Arbërie Nagavci, prej kohësh shpall konkurse për pozita të ndryshme. Por në disa prej tyre, sipas hulumtimit të Demokracia.com, është bërë e dukshme se “ylli i fatit” më së shumti ka ndriçuar mbi të afërmit dhe bashkëpunëtorët e zyrtarëve të kësaj ministrie përfshirë edhe vetë rrethin e ngushtë të ministres.
Javët e fundit, MASHTI ka përmbyllur disa konkurse për pozita administrative dhe profesionale. Rezultatet, të cilat i ka parë Demokracia.com, tregojnë se në krye të listave me më shumë pikë kanë dalë kandidatët me lidhje familjare apo të afërsisë politike me zyrtarë të ministrisë.
Lista e “fatlumëve” përfshin disa emra të njohur për publikun:
Besarta Haskaj-Balaj, ish-asistente e ministres Arbërie Nagavci, është punësuar në MASHTI si Zyrtare e Lartë për Mësim Plotësues për Mërgatën. Nga pozita e asistentes politike, tashmë ajo ka kaluar në pozitë të përhershme përmes konkursit.
Zana Domi, e afërt me familjen e ministres Nagavci, është pranuar në ministri si Zyrtare e Lartë për Komunikim me Publikun. Në këtë pozitë, ajo tashmë menaxhon informacionin që del nga MASHTI drejt qytetarëve.
Arta Gashi, është kunata e Teuta Sopjanit – ushtruese e detyrës së shefes së Divizionit të Teknologjisë Informative dhe Shërbimeve Teknologjike. Ajo është pranuar në punë si Recepsioniste në ministri.
Gresë Latifaj, ish-asistente e ish-zëvendësministrit Dukagjin Popovci, e emëruar më herët politikisht, tash përmes konkursit të rregullt ka marrë pozitën e Zyrtares për Arsimin Parauniversitar.
Rinore Rexha, bashkëshortja e Qendrim Bytyqit, i cili është drejtor në Departamentin për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, është punësuar në MASHTI si Zyrtare e Lartë për Koordinim me Donatorë.
Këto emërime, të dokumentuara në bazë të listave të publikuara nga MASHTI, ngrisin dyshime rreth mënyrës se si po zhvillohen konkurset në këtë ministri. Megjithëse formalisht ato paraqiten si procese të hapura dhe transparente, fakti që në disa raste përfitojnë të afërm të zyrtarëve të lartë nxitë dyshime mbi barazinë dhe besueshmërinë e tyre.