Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi takime me udhëheqësit evropianë, në margjina të një samiti të BE-së në Bruksel, por nuk ka ende informacione për rrjedhën e tyre.
Ai nuk dha ndonjë deklaratë para gazetarëve.
Ndërkaq menjëherë pas përfundimit të takimit të Kurtit me liderët europianë, gazetari Xhemajl Rexha ka publikuar edhe fotografi të tij nga holli i hotelit ku është mbajtur takimi.
Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, takimet janë vazhdimësi e procesit që filloi fundjavën e kaluar, kur e ashtuquajtura “pesëshe e madhe” e të dërguarve perëndimorë vizitoi Prishtinën dhe Beogradin.
“Ideja është që këto takime të zhvillohen në margjinat e samitit të BE-së, në mbështetje të kthimit në dialog. Mesazhi i BE-së është se presim që të dyja palët, Serbia dhe Kosova, t’iu kthehen menjëherë dhe pa pengesa detyrimeve që dalin nga dialogu, të punohet menjëherë për uljen e tensioneve dhe rifillimin e dialogut”, tha Stano.