Një audioincizim në të cilën pretendohet se ish-presidenti Donald Trump pranon se ka mbajtur një dokument të klasifikuar pasi është larguar nga Shtëpia e Bardhë, është siguruar nga mediat amerikane.
Në audio, ish-presidenti dëgjohet duke shfletuar fletat e duke thënë: “Kjo është shumë konfidenciale”.
Së pari kjo audio është siguruar nga CNN-i, por CBS po ashtu ka siguruar qasje në të.
Trumpi është deklaruar i pafajshëm për keqmenaxhim të dokumenteve të klasifikuara.
CNN-i së pari publikoi audion dyminutëshe, që thuhet se është bërë në korrik të vitit 2021, në një takim në klubin e golfit të Trumpit në New Jersey. Trumpi thuhet se ishte takuar me disa persona që po punonin në një biografi të ish-shefit të stafit të tij, Mark Meadows.
Trumpi dëgjohet duke thënë “këto janë letrat” dhe i referohet dokumenteve për Iranin të cilat i quan “shumë konfidenciale”.
“Këto janë bërë nga ushtria dhe më janë dhënë mua. Si president kam mundur t’i deklasifikoj, por tash nuk mundem. Por, e dini, kjo është ende një sekret”, ka thënë Trump.
Duket se është audioincizimi i njëjtë që është përmendur nga prokurorët në aktakuzën e ngritur ndaj Trumpit.
Nuk është e qartë nëse dokumentet që përmenden, kanë arritur të merren nga hetuesit.
Prokurorët pretendojnë se Trumpi u ka treguar dokumente të klasifikuara personave në dy raste, përfshirë një shkrimtari dhe dy anëtarë të stafit.
Trumpi o përballet me 37 akuza se ka mbajtur ilegalisht dokumente të klasifikuara dhe ka penguar tentimet e Qeverisë për t’i rikthyer ato dokumente.
Ai vazhdimisht i ka mohuar akuzat.
Ai ka thënë se gjitha dokumentet që i mori me vete nga Shtëpia e Bardhë ishin të deklasifikuara.