6.3 C
New York
Friday, November 29, 2024

Buy now

Publikohen “masat” e PDK-së ndaj pushtetit pas “izolimit” të Kosovës

- Advertisement -
Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës ka miratuar deklaratën prej 10 pikash, pasi Bashkimi Evropian i mori disa masa ndaj Kosovës.

Përmes këtyre pikave, PDK-ja po kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme.

Po ashtu, PDK-ja ka marrë vendim që të pezullojë çdo komunikim zyrtar me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani-Sadriu, përveç në situata të jashtëzakonshme apo emergjente.

Deklaratë e plotë e KD të PDK-së:

1. E ardhmja e Kosovës është në rrezik nga veprimet dhe sjelljet e papërgjegjshme të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e që po përkrahet në heshtje edhe nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu. Partia Demokratike e Kosovës shpreh shqetësim dhe indinjatë të thellë me drejtimin kah po e dërgojnë Kosovën këta dy udhëheqës dhe kërkon që kjo qasje të ndalet menjëherë.

2. Përderisa shtetësia e Kosovës po vazhdon të cenohet nga ndërhyrjet direkte të Serbisë në Kosovë, në shumë forma, prej instrumentalizimit të komunitetit serb dhe përfaqësuesve të tyre politikë e deri tek përdorimi i bandave kriminale kundër institucioneve dhe sovranitetit të shtetit tonë, konfrontimi i qeverisë së Kosovës me aleatët e shtetit tonë, me SHBA-në, me BE-në, me Shqipërinë dhe me vendet e tjera që e kanë përkrahur Kosovën në arritjen e lirisë dhe formimin e shtetit, cenon të gjitha të arriturat tona të deritashme, por – edhe më keq – vë në rrezik të ardhmen e shtetit të Kosovës.

3. Pavarësisht veprimeve të papërgjegjshme e të rrezikshme të Kryeministrit Albin Kurti, ne besojmë se ato nuk përfaqësojnë vullnetin dhe interesin e qytetarëve, sepse jemi të bindur se populli i Kosovës mbetet mirenjohës ndaj SHBA-ve, BE-së, Shqipërisë dhe partnerëve të tjerë perëndimorë.

4. Për Partinë Demokratike të Kosovës është e papranueshme që Kosova të sillet në pozitë që t’i vihen sanksione nga aleatët e saj më të afërt, SHBA-ja dhe BE-ja. Kjo gjendje në të cilën gjendet Kosova sot nuk mund të quhet si gjendje normale, andaj askush nuk duhet që edhe më tutje ta simulojë normalitetin në vend.

5. Kosova është duke bërë hapa prapa në rrafshin e brendshëm dhe në atë të jashtëm. Brenda ka degradim në ekonomi, në siguri, në arsim, në shëndetësi, në drejtësi dhe në cdo fushë tjetër. Ka përparuar vetëm korrupsioni, nepotizmi dhe kapja e çdo institucioni nga partia në pushtet. Jashtë ka rënie të kredibilitetit të Kosovës si shtet dhe ngecje të procesit të konsolidimit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës.

6. Rrugëdalje e vetme nga kjo rrugë e shkatërrimit të çdo gjëje që është arritur në Kosovë në vitet e lirisë e të shtetësisë, është mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme, sa më parë, dhe formimi i një qeverie të re që do të kthejë Kosovën në binarët e rrugës euro-atlantike. Vetëm duke rivendosur e forcuar aleancat ndërkombëtare e forcojmë edhe shtetin tonë.

7. Partia Demokratike e Kosovës do të pezullojë cdo komunikim zyrtarë me Kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani-Sadriu, përvec në situata të jashtëzakonshme apo emergjente, si dhe për caktimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme, përmes dorëheqjes së Kryeministrit apo përmes shpërndarjes së Kuvendit të Republikës së Kosovës.

8. Duke pasur parasysh të gjitha këto, Partia Demokratike e Kosovës, nga sot nuk do të votojë në asnjë forum të Kuvendit të Kosovës dhe për asnjë vendim, rezolutë, ligj, marrëveshje ndërkombëtare apo dokument tjetër, ndonëse do të marrë pjesë në mbledhjet e Kuvendit të Kosovës për të ngritur zërin dhe për të folur për këtë rrezikim që po i bëhet Kosovës nga Qeveria dhe Presidenca e Kosovës.

9. Partia Demokratike e Kosovës, e vetëdijshme se përshkallëzimi në pjesën veriore të Kosovës është në kundërshtim me interesin e shtetit të Kosovës, bën thirrje dhe do të kontribuojë për de-përshkallëim të gjendjes atje. Gjithashtu, Partia Demokratike e Kosovës, shpreh gatishmërinë që të ndërmarrë hapat e nevojshëm, në koordinim më partnerët ndërkombëtarë, për kthimin e normalitetit në pjesën veriore të vendit, duke përfshirë edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.

10. PDK do të përcjellë zhvillimet e ardhshme me vëmendje të plotë dhe, karshi këtyre zhvillimeve, do të shfrytëzojë të gjitha mjetet demokratike në dispozicion që të ndalojë shkatërrimin e së ardhmes së shtetit të Kosovës, të ruaj interesin e shtetit dhe të qytetarëve të Kosovës.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit