PSG ka arritur finalen e Ligës së Kampionëve për herë të parë pas pesë vitesh, pasi eliminoi Arsenalin me rezultat të përgjithshëm 3-1 në dy ndeshje.
Presidenti i PSG-së, Nasser Al-Khelaifi, ka konfirmuar se të gjithë 600 punonjësit e klubit do të shpërblehen pas kualifikimit në finalen e madhe të Ligës së Kampionëve.
Kampionët e Ligue 1 do të përballen me Inter Milanin më 31 maj në Mynih, duke synuar ta fitojnë trofeun për herë të parë në historinë e klubit.
Lojtarë si Ousmane Dembele, Gianluigi Donnarumma, Nuno Mendes dhe Achraf Hakimi kanë pasur një rol kyç në rrugëtimin drejt finales, me PSG-në që ka hyrë në një formë të shkëlqyer pas fillimit të vitit.
Tani, presidenti Al-Khelaifi u ka dërguar një letër personale të gjithë 600 punonjësve të klubit, duke konfirmuar se edhe ata do të shpërblehen për arritjen e madhe.
Secili punonjës do të marrë bileta falas dhe udhëtim të paguar për në Mynih, si dhe një pjesë nga bonusi i performancës që zakonisht ndahet vetëm mes lojtarëve të ekipit të parë.

Letra, e publikuar në rrjete sociale nga gazetari i Sky Sports, Kaveh Solhekol, thotë:
“Filozofia dhe suksesi i klubit tonë është i ndërtuar mbi përpjekjet kolektive – nga lojtarët në fushë, te stafi teknik dhe të gjithë njerëzit tanë në çdo departament të Paris Saint-Germain.
Jemi krenarë që jemi një familje – familja e Paris Saint-Germain – që përfaqëson me krenari Parisin dhe Francën në skenën më të madhe.
Për këtë arsye, të gjithë punonjësit tanë do të kenë mundësinë të jenë pranë ekipit tonë në misionin final në Mynih.
Faleminderit për të gjitha përpjekjet, përkushtimin, profesionalizmin dhe pasionin tuaj për Paris Saint-Germain – që do të na bashkojë dhe shtyjë përpara javët në vijim, duke filluar me finalen e Kupës së Francës në Paris javën që vjen”.