Në ditën e parë të afatit kalimtar të dimrit, gjiganti francez PSG njoftoi ardhjen e futbollistit brazilian, Lucas Beraldo.
Mbrojtësi 20-vjeçar vjen në Paris nga radhët e Sao Paulos, teksa “shenjtorët” kanë nënshkruar kontratë të vlefshme deri në vitin 2028. Bëhet fjalë për një nga talentet më të mëdhenj të gjeneratës së tij dhe PSG e ndoqi për një kohë të gjatë.
“Jam i lumtur që kam ardhur në një klub kaq të madh si PSG. Ky është një hap shumë i rëndësishëm në karrierën time dhe premtoj të jem plotësisht i fokusuar në të gjitha sfidat dhe detyrat. Mezi pres të takoj bashkëlojtarët e mi. Një falënderim i madh për tifozët që tashmë më kanë dhënë shumë mbështetje dhe një pritje të ngrohtë në ambientin e ri”, tha Beraldo.
I riu brazilian ka një teknik të shkëlqyeshme dhe gjithashtu shpesh shfaqet i rrezikshëm edhe në sulm. Kësisoj, trajneri Luis Enrique merr një përforcim të madh në vijën e mbrojtjes dhe tifozët janë të kënaqur me transferimin. Shuma që klubi parisien ka paguar për transferimin e brazilianit është rreth 20 milionë euro.