Paris Saint-Germaini është duke u bërë gati për transferimin e dyshes Rafael Leao dhe Victor Osimhen për të zëvendësuar Kylian Mbappen, i cili me shumë gjasa do t’i bashkohet Real Madridit në verë.
Sipas mediumit italian La Reppublica, gjiganti francez tashmë ka filluar kërkimet për objektivat e mundshëm të cilët do të pasojnë Mbappen pas largimit.
“Los Blancos” më në fund pritet ta bëjnë realitet ‘ëndrrën’ e transferimit të francezit, duke marrë parasysh interesimin e tyre afatgjatë për shërbimet e tij, dhe me kontratën e lojtarit që skadon në qershor, çdo gjë po shkon drejt fundit.
Raporti shton më tutje se Leao është opsioni i preferuar i drejtuesve të klubit të PSG-së për të zëvendësuar Mbappen, por ata fillimisht do të duhej që të paguanin klauzolën e lirimit prej 175 milionë eurosh në drejtim të Milanit.
Osimhen gjithashtu është njëri ndër kandidatët e preferuar, ani pse ai jo shumë kohë më parë kishte nënshkruar një kontratë të re me Napolin, ku sipas saj ka një klauzolë lirimi prej 130 milionë eurosh.
Që të dy Leao dhe Osimhen kanë shijuar një start të fuqishëm të sezonit në Itali, ndonëse nuk janë paraqitur në formën e tyre më të mirë.
Teksa sulmuesi i Milanit ka gjetur rrjetën në gjashtë raste dhe ka dhuruar nëntë asistime për klubin në të gjitha garat, sulmesi nigerian ka shënuar vetëm tetë gola dhe ka kontribuar me tri asistime në 18 ndeshje.