Inter – Paris St. Germain do të jetë finalja e Ligës së Kampionëve në këtë edicion, të garës prestigjioze evropiane.
Skuadra franceze, i bashkohet asaj italiane në finalen e 31 majit, në kërkim të kurorës evropiane.
PSG-ja e ka mposhtur edhe në ndeshjen e dytë gjysmëfinale Arsenalin, duke triumfuar në “Parc des Princes”, me rezultat 2:1 dhe rezultat të përgjithshëm 3:1.
Pas fitores minimale javën e shkuar, parisienët pas 27 minutave kaluan në epërsi me golin e Fabian Ruizit, ndërsa goli i Ashraf Hakimit në minutën e 72-të, pak minuta pasi Vitinha humbi penalltinë, vetëm se i dha vulë fituesit në këtë takim.
Në minutën e 76-të Arsenali u kthye në lojë me golin e Bukayo Sakas, por vetëm pak çaste më vonë nuk arriti të shënojë në portën e boshatisur.
Parisi që nuk e ka fituar asnjëherë trofeun e Ligës së Kampionëve, kthehet në finale, aty ku ishte së fundit në vitin 2020, kur humbi në finale nga Bayern Muncheni.
Kundërshtari i francezëve, Interi, arriti finalen e dytë brenda tri viteve, ndërsa e ka fituar së fundit këtë garë në vitin 2010.
Finalja e Ligës së Kampionëve për këtë edicion luhet në Munih të Gjermanisë, më 31 maj nga ora 21:00.