-8.8 C
New York
Wednesday, January 22, 2025

Buy now

Pse shqiptari trupin në Perëndim e kokën në Lindje?!

- Advertisement -

Shkruan: Agron Hoti

Gjatë studimeve në Gjermani më ka rastisur të takoj studentë/e nga e tërë bota. Ajo që më ka rënë në sy më së shumti nëpër mbrëmjet e shumta universitare ka qenë kur kam parë duke ‘u larë’ me raki e birra (edhe atë gjatë muajit Ramazan) shumë studentë/e arabë (Arabi Saudite, Kuvajt, Irak, Jordan, Siri, Irak, Tunis, Oman, Egjipt e Libi), pastaj shumë turq, iranianë, afganë, etj.

Shpesh i pyesja me kurreshtje të njëjtit se si kishte mundësi të pinin alkohol deri në dehje bile edhe gjatë muajit të agjërimit, gjersa përgjigjet e tyre ishin gjithmonë virale: “këtu jemi në Oksident (Perëndim), e atje prej nga vijmë është Orient (Lindje); kësi mbrëmje e hareje rinie studentore plot alkohol gjithandej nuk ka në vendet tona, aq më pak raki e birra, prandaj sa të jemi këtu do ta shijojmë në maksimum Oksidentin” e thonin pa asnjë hezitim bile me shumë gëzim.
Më quanin me shpoti “Scheinmuslim” (musliman në dukje) siç kjo pjesë e botës muslimane na përceptojnë të gjithë shqiptarëve, ndërkohë që ata mbanin raki në dorë e unë birrë. Kur i pyesja ç’dënime do të merrnin në vendet e veta për konsumim alkoholi me apo pa Ramazan, më thonin me shpoti se dënimin në vende tona ke mundësi ta ‘zgjedhësh’: me prerje koke, varje, prerje gjymtyrësh, pushkatim, mbytje me gurë, zhdukje pa gjurmë, etj. E thonin hapur “sa të jemi këtu duam ta shijojmë sa më shumë këtë bjondinizëm e sykaltrizëm perëndimor, ngase në vendet tona nuk e kemi këtë mundësi”.

Më thonin tutje se do të bënin të pamundurën që pas përfundimit të studimve të mos ktheheshin në vendet e tyre, e tëra kjo shkaku i ligjeve të rënda sheriateske dhe mungesës së demokracisë.
Hyrjen e mësipërme e bëra për të treguar se si e shihnin realitetin nëpër vendet e tyre (arabe, iraniane, turke, etj.) kjo shtresë e lartpërmendur studentore që në fakt duhej të ishin e ardhmja e vendeve prej nga vinin. Qëllimi i këtij shkrimi është t’i bëj me dije qytetarit shqiptar gjithandej trojeve shqiptare dhe diasporës sonë se dielli për shqiptarët lind në dhe vetëm në Perëndim. Kaq.
Kjo, sepse pas rënies së Perandorisë Osmane, e cila i kishte lënë shqiptarët si popullin më të varfër e më të poshtëruar në Ballkan, shqiptarët pikërisht për këtë arsye ka mbi 100 vite që bëjnë yrysh për të shkuar nëpër Vende Perëndimore për të punuar e jetuar atje. Edhe pse Serbia e Greqia bashkë me Turqinë mundoheshin të na çonin me plane të errëta në Anadoll, shqiptarët shpëtimin e tyre e shihnin vetëm në Perëndim ku edhe lulëzuan lëvizjet e shumta kombëtare shqiptare.

Ata shqiptarë të shumtë në numër, pra miliona, që ngelën shumë në Turqi, Greqi e Vende Jugosllave u asimiluan pothuaj që të gjithë. E sikur shqiptarëve t’u kishte ofruar shpresë e zhvillim pushtuesi osman, pse atëherë do të duhej të bënin yrysh drejt Perëndimit e jo drejt Lindjes ku ishim nën sundim mbi 1500 vite (koha e pushtimit nga Bizanti dhe Osmani)?!
Në vend që shqiptarët atje, pra në Perëndim, ta përqafonin frymën perëndimore të të jetuarit e vepruarit ngase vetëm falë Perëndimit qe bërë Shqipëria e Kosova, një pjesë e tyre për fat të keq promovojnë atje vlera lindore, kryesisht arabe, turke apo iraniane. Bile shkojnë deri atje sa indoktrinohen e radikalizohen derisa vrasin ushtarë amerikanë midis tokës gjermane dhe bëhen pjesë e sulmeve tjera terroriste në tokë të Evropës ku jetojmë edhe vetë.

Harron shqiptar zeza që kur Kosova po digjej flakë nga Serbia, vetëm një pakicë në Kosovë e diasporë i qe përgjigjur luftës çlirimtare nën flamurin e UÇK-së, i cili aq shumë kishte nevojë për luftëtarë shqiptarë. Pra, shqiptar zeza s’i është përgjigjur kombit që e lindi e rriti, kurse për kauza arabe, iraniane e turke është në gjendje ta japë edhe jetën duke i kthyer pushkën Perëndimit. Trimëri e burrëri është vetëm kur i përgjigjesh vendit tënd për luftë çlirimtare, kurse për kauza të huaja gjithmonë ngelesh mercenar pa pikë vlere.
Harrojnë këta shqiptarë që ishin pikërisht amerikanët e gjermanët që bënë Kosovë e Shqipëri, pra që na bënë të jetojmë të lirë e në paqe, pas pushtimit të pandërprerë mbi 2000 vjeçar romak, bizantin, osman dhe sllavo-grek.

Pyetja është kjo: pse këta shqiptarë nuk shkojnë për të jetuar e vepruar në vende arabe, Iran apo Turqi, kur dihet se këto shtete kanë një bum zhvillimi ekonomik, pra nuk janë të varfëra siç do të mund ta arsyetonte një shqiptar mosshkuarjen atje. Bile Vendet e Golfit (të gjitha arabe) janë padyshim ndër vendet më të pasura në glob bashkë me Turqinë që ka një zhvillim të jashtëzakonshëm ekonomik dhe që po konsolidohet gjithnjë e më shumë si fuqi rajonale.
Nëse ua do koka e zemra aq shumë vlerat e vendeve të lindjes (arabe, iraniane e turke), atëherë pse këta shqiptarë nuk shkojnë edhe për të punuar e jetuar atje, e jo ta mbajnë trupin në Perëndim e kokën në Lindje, sepse trupi e koka s’bëjnë asesi të ndara?! Nuk kam asnjë obsesion ndaj vendeve arabe, Iranit e Turqisë, përkundrazi i respektoj shumë ashtu siç jam dhe për bashkëpunim ekonomik me të gjitha siç bën edhe vetë Perëndimi me to, por jo të promovojmë frymë lindore në Perëndim e në toka shqiptare.

Pra, këtyre shqiptarëve me orientim lindor po ua ka ëndja t’i rrisin e shkollojnë fëmijët nëpër demokracitë perëndimore, të cilat lirinë e shprehjes dhe të drejtat e individit i kanë bazë të të jetuarit, ndërsa të gjitha këto po i bukëpërmbysin duke u indoktrinuar në fanatizëm fetar të manipuluar politikisht për t’i kthyer pushkën Perëndimit dhe për ta tjetërsuar kombin shqiptar që i lindi e rriti. Pra, radikalizohen kundër atij Perëndimi që edhe sot e ruan sigurinë nacionale të të gjithë shqiptarëve. Edhe fëmijët e dinë që pa Perëndimin, kryesisht SHBA, trojet shqiptare sa për ndihmën e Lindjes sot do të frymëzonin veç jugosllavo-greqisht. Kaq e thjeshtë është kjo punë. Kur jugosllavo-grekët na e futën thikën në fyt duke prerë miliona fëmijë, gra, pleq e rini shqiptare, ishte Perëndimi ai që na shpëtoi, asesi Lindja.
Kanë harruar këta shqiptarë që në luftën 1998-1999 mbi 1 milionë shqiptarë u dëbuan jashtë Kosove nga pushtuesi serb. Pa ndihmën e Perëndimit asnjë s’do të mund të kthehej. Kjo është fakt.

Pra, në njërën anë po na pëlqen luksi i Perëndimit, sepse po i rrisim normalisht atje fëmijët, pra në sistemet më të mira të shkollimit në botë, ndërsa mendjen po e mbajmë në Lindje. Po na pëlqen t’i rrisim vajzat me kulturë perëndimore, kurse në hapësira shqiptare po e kërkojmë mbulimin e vajzave dhe grave. Shqiptar zeza jeton i lirë midis Berlinit, kurse për Prishtinë e Tiranë e kërkon sheriatin.
Sigurisht që edhe kultura dhe shkenca arabe, turke e iraniane i kanë dhënë shumë njerëzimit siç i kanë dhënë edhe të gjitha kulturat dhe shkenca e vendeve tjera, përfshirë atë shqiptare, por është tepër e pandershme që si shqiptar të jetosh në Londër, Paris apo Berlin, t’ua vjelësh e shijosh të gjitha të mirat atje, e të promovosh sheriatin në hapësira shqiptare sepse dikush të paska dhënë lekë të pistë për ta tjetërsuar kombin shqiptar që të ka lindur dhe rritur.

Prandaj, ata që duan Lindje le të shkojnë në Lindje ka vend sa të duash atje për promovim vlerash lindore; ata që duan Perëndimin le të shkojnë në Perëndimin që i ka shpëtuar shqiptarët nga shfarosja kolektive si rezultat i pushtimit të pandërprerë mbi 2000 vjeçar, pra ata që duan Perëndimin mos të bëhen argat të Lindjes në Perëndim. Jemi shumë popull i vogël për t’i ndryshuar rend-ditat e popujve të mëdhenj. Nuk guxojmë të futemi në gërshërë. Perëndimi sot e drejton botën, ndërsa konkurrentë i ka 5 popuj të mëdhenj: arabët, rusët, indianët, kinezët, e rusët me proxit e tyre.
Për Perëndimin që drejtohet nga SHBA një gjë është jetike: që këta 5 popuj të lartëpërmendur me proxit e tyre mos jenë në asnjë mënyrë në aleancë mes vete, sepse një aleancë mes tyre e rrezikon superioritetin dhe dominimin global të SHBA-së. Nga viti 2001-2021 SHBA e prishi aleancën mes rusëve dhe arabëve, tash nga 2022 e tutje SHBA është duke e prishur aleancën mes rusëve dhe evropianëve. Të dyja këto aleanca ishin lidhur sipas kushteve ruse kundër SHBA-së. Një aleancë e ardhshme do të mund të jetë mes Gjermanisë, Turqisë e Japonisë, por SHBA do të rreshtohet përkrah Britanisë së Madhe, Polonisë, Ukrainës, Kinës dhe Koresë së Bashkuar për ta prishur edhe këtë aleancë për ta ruajtur kështu supremacinë globale. E shqiptarët nuk kanë shumë për të zgjedhur: e kanë jetike të ngelen të rreshtuar përkrah SHBA-së dhe vetëm SHBA-së.

Kombi shqiptar ia ka borxh vetë ekzistencën Perëndimit, ndaj këtë s’duhet ta harrojmë kurrë, përkundrazi ta promovojmë sa më shumë e sa më zëshëm që mundemi. Prandaj, shqiptar zeza që jeton në Perëndim dhe hapësira shqiptare le ta promovojë Perëndimin që edhe sot e ruan ekzistencën shqiptare.

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit