Pierce Brosnan e ka vulosur prej kohësh statusin e tij si një nga xhentëlmenët më të mëdhenj të Hollywood-it, por sërish ka arritur t’i surprizojë fansat me paraqitjen e tij në filmin e ri “Klubi i Hetuesve të Vrasjeve të së Enjtes”. Duke interpretuar rolin e detektivit amator Ron, aktori 72-vjeçar fitoi simpatinë e publikut dhe mori komplimente të shumta në rrjete sociale.
Kjo nuk është hera e parë që ish-aktori i James Bond shkëlqen – ai gjithmonë ka ditur ta pushtojë publikun, jo vetëm me pamjen e tij elegante, por edhe me jetën e tij private.
Edhe kolegia e tij në film, Halle Berry, e ka vlerësuar duke thënë se Brosnan i ka “rikthyer besimin te burrat”. Në një intervistë për Wired, ajo pranoi se roli i vajzës së Bond-it nuk ishte ndonjëherë në listën e saj të dëshirave, por pasi interpretoi personazhin Jinx, ndjehet pjesë e historisë së kinemasë. “Ata filma janë legjendarë. Do të jenë gjithmonë pjesë e historisë sonë dhe është nder që isha pjesë e njërit, sidomos përkrah Pierce-it”, tha aktorja, duke shtuar se për të ai do të mbetet “përjetë Bond-i i saj”.

Pierce Brosnan dhe bashkëshortja e tij Keely Shaye Smith konsiderohen si një nga çiftet më të dashura të botës së famës. Ata u njohën në vitin 1994 në një kafene në Meksikë, në një periudhë të vështirë për aktorin. Vetëm tre vjet më herët, bashkëshortja e tij e parë, Cassandra Harris – me të cilën kishte qenë i martuar 11 vite – kishte ndërruar jetë nga kanceri i vezoreve.
Nga martesa me Cassandrën, Brosnan ka një djalë, Sean, ndërsa kishte birësuar edhe djalin e saj Christopher dhe vajzën Charlotte. Aktori shpesh ka treguar se ishte pikërisht Keely ajo që e ndihmoi të kalonte periudhat e errëta të jetës, sidomos pas humbjes së vajzës Charlotte në vitin 2013, e cila vdiq në moshën 42-vjeçare nga e njëjta sëmundje që i mori jetën nënës së saj.

“Ona ka një forcë të brendshme pa të cilën nuk do të mund të jetoja. Kur më sheh në sy, unë dridhem i tëri. Edhe po të kërkoja një milion vjet, nuk do të gjeja një grua si Keely”, ka deklaruar aktori në një intervistë. Çifti sot ka dy djem – Paris, i cili është model, dhe Dylan, që ka ndjekur hapat e të atit në aktrim.

Edhe pse me kalimin e viteve Keely është përballur me komente të ashpra për shtimin në peshë, Brosnan ka qenë gjithmonë mbrojtësi dhe mbështetësi më i madh i saj. Ai është shprehur shpesh se nuk i nevojitet “asnjë supermodele”, por vetëm një grua e vërtetë.
“E dua vitalitetin e saj, pasionin e saj. Sa herë më sheh, më bën të ndiej emocione sikur është hera e parë. Nuk më interesojnë komentet e të tjerëve, as edhe të miqve tanë që dikur i ofruan pagesë për ndërhyrje kirurgjikale për të humbur peshë. Unë jam kundër, sepse e dua ashtu siç është”, u shpreh aktori.

“Adhuroj çdo formë të trupit të saj. Për mua, ajo është gruaja më e bukur në botë. E kam dashur gjithmonë për shpirtin dhe personalitetin e saj, jo vetëm për bukurinë. Sot e dua edhe më shumë, sepse është nëna e fëmijëve të mi. Jam jashtëzakonisht krenar për të dhe gjithmonë përpiqem të jem i denjë për dashurinë e saj”, ka thënë Brosnan.