Avokati i ekipit mbrojtës të ish-presidentit Hashim Thaçi, Dastid Pallaska, ka thënë se deklarimi i Dick Martyt se është kërcënuar me vdekje nga elemente radikale të shërbimeve inteligjente të Serbisë është një zhvillim jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe dramatik.
Ai, në “Rubikon” të Klan Kosovës, ka përmendur edhe problemet me të cilat po ballafaqohen në gjykimin kundër ish-presidentit Hashim Thaçi e ku shumica e dosjes kundër tij është e përbërë nga dokumente që janë nga koha e Dick Martyt.
“Shpalos nga një këndvështrim tjetër shumë probleme me të cilat jemi ballafaquar ne në gjykatë në rastin që po zhvillohet kundër ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve. Kjo për faktin sepse shumë nga dosja me të cilën ballafaqohemi është e përbërë nga dokumentet që janë siguruar në kohën e Dick Martyt apo që po sigurohen në baza të rregullta nga shërbimet e sigurisë së autoriteteve serbe. Ne i konsiderojmë të gjitha shfajësuese jo për shkak të përmbajtjes së tyre, por sepse janë dokumente që janë gjeneruar nga institucione që nuk kanë asnjë kredibilitet, përkundrazi janë armiqësore ndaj Kosovës dhe janë të njohura për fabrikime të ndryshme për qëllime të pastra politike”.
Pallaska ka thënë se pretendimi i Dick Martyt për kërcënime të jetës nga shërbimet inteligjente të Serbisë ka relevancë duke marrë parasysh që ajo çka ka deklaruar përputhet me mjetet dhe veprimet që shërbimi serb operon.
“Duhet të vlerësohet kredibiliteti i kësaj akuze që Dick Marty e bën në opinionin publik. Ky është një person serioz dhe asnjëherë nuk ka zhvilluar intervistë në shtëpinë e tij – kjo është e para. Akuzat e tij kundër shërbimeve sekrete serbe përputhen 100 % me modus operandin (mjetet dhe veprimet) e këtij shërbimi. Serbët janë të njohur, duke u bazuar në shkolla ruse të veprimtarisë së sigurisë, për operacione të flamujve të rrejshëm, pra ndërmarrin opeacione ne emër të palës kundërshtare për ta fajësuar palën kundërshtare dhe për ta cenuar kështu kredibilitetin e tyre”.
“Për realizimin e këtij operacioni, sipas Dick Martyt apo vlerësimeve të shërbimeve inteligjente të Zvicrës, operacioni ka qenë i planifikuar që të kryhet nga grupe kriminale. Kjo është ndër mjetet më origjinale të shërbimit të fshehtë serb të cilin e ka përdorur qysh edhe nga koha e ish-Jugosllavisë. Shumica e kundërshtarëve politikë, qoftë nga Kosova apo republika të tjera të ish-Jugosllavisë, janë vrarë në Evropë nga elementë kriminalë të cilët kanë bashkëpunuar me UDB-në në atë kohë”.
Ai beson se Dick Marty është kërcënuar pikërisht në kohën kur Hashim Thaçi dhe ish-krerët e UÇK-së janë arrestuar për shkak se, sipas tij, me publikimin e aktakuzës ndaj tyre raporti i famshëm i Dick Martyt është çmitizuar dhe duhej të krijohej një iluzion.
“Pse ka ndodhur kjo pikërisht 16 muaj më parë, pikërisht menjëherë pas arrestimit të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve? Me fillimin e asaj procedure dhe shpalosjen e asaj aktakuze të redaktuar në mënyrë të konsiderueshme ka marrë fund miti për raportin e Dick Martyt. Atë ditë kur është shpalosur aktakuza i gjithë opinioni publik e ka kuptuar se i gjithë raporti i Dick Martyt ka qenë një trillim i pastër”.
“Asgjë nga ato akuza të tij, të cilat kanë qenë të drejtuara personalisht ndër të tjera edhe kundër ish-presidentit Thaçi, nuk kanë qenë pjesë e aktakuzës. Pas 10 vjetësh trillime dhe keqpërdorime politike të atyre trillimeve dhe pas një shqyrtimi gjyqësor edhe nga një gjykatë që e kemi parë dhe një prokurori të cilës i mungon paanshmëria në këtë proces është vlerësuar se ato trillime nuk mjaftojnë të jenë pjesë as e një aktakuze kaq të dobët siç është kjo me të cilën po ballafaqohemi ne. Në momentin kur është diskredituar i gjithë raporti i Dick Martyt e vetmja mënyrë për ta mbajtur mitin e Dick Martyt të gjallë ka qenë me cenu në çfarëdo mënyre Dick Martyn për të krijuar përshtypjen e rrejshme, përkatësisht iluzionin optik, se cenimi i jetës së tij ka për qëllim parandalimin e zhvillimit të një procesi gjyqësor të mirëfilltë”.
Pallaska tërheq vërejtjen që episodë të tillë si me Dick Martyn mund të provohet sërish nga shërbimet sekrete serbe, veçse këtë herë me dëshmitarët që janë pjesë e gjykimeve ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
“Dështoi miti dhe e vetmja mënyrë për ta mbajtur mitin e gjallë ka qenë që t’i bëhet diçka Dick Martyt që krijohet përshtypja që shqiptarët u munduan ta parandalojnë Dick Martyn për të përfunduar procesi. Për këtë arsye mendoj që kjo episod çka ndodhi me Dick Martyn nuk duhet të mendohet që është e izoluar me Dick Martyn. Sipas të njëjtës logjikë, shërbimet sekrete serbe mund të shënjestrojnë cilindo dëshmitar që është pjesë e këtij procesi duke i fajësuar të akuzuarit që gjenden atje dhe këto kërcënime të shërbejnë si bazë për t’i mbajtur ata në paraburgim”.