Deputeti i Partisë Socialiste Etjen Xhafaj ishte i ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin” në Euronews Albania për të folur rreth mbarëvajtjes së Samitit të Procesit të Berlinit, i cili u mbajt për herë të parë në Tiranë.
Ndër çështjet e diskutuara në studio ishte edhe marrëdhënia mes dy kryeministrave shqiptar Rama dhe Kurti. Xhafaj tha se nuk është e vërtetë se mes dy kryeministrave nuk ka komunikim, por ai tha se shpesh për hir të politikës së brendshme përdoret politika e jashtme, duke i ndezur kështu siç u shpreh ai “një zjarr i cili mund të djegë gjithçka”.
“Ky është presupozim që ju po bëni që ka zero komunikim mes Ramës edhe Kurtit. Kryeministri i Kosovës dhe kryeministri i Shqipërisë sigurisht që kanë kanale komunikimi edhe kur komunikimi është i vështirë. Çështja është se për efekte politike të brendshme si në Shqipëri edhe në Kosovë konsumohet politikë e jashtme, pra në një farë mënyrë i hidhet vajguri një zjarri i cili mund të djegë gjithçka. Politika e jashtme e Shqipërisë është në këto momente në kulmin e fuqive të saj diplomatike, por nuk ka kërkuar asnjëherë të ndërhyjë”,-tha Etjen Xhafaj.