“Pse jo”: VV sinjalizon se Kurti mund t’i shkruajë letër Hamzës për takim

- Advertisement -

Lëvizja Vetëvendosje ka lënë të hapur mundësinë që kryeministri Albin Kurti t’i drejtohet me letër Bedri Hamzës për një takim të mundshëm, duke sinjalizuar një zbutje të qëndrimit të deritanishëm.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, pretendoi se e kanë shumë seriozisht që ta zgjidhin çështjen e zgjedhjes së Presidentit të ri dhe tha se shefi i tij, Albin Kurti, po bën përpjekje në këtë drejtim.

I pyetur për deklaratën e kreut të PDK-së, Bedri Hamza, i cili tha se partia e tij pret ftesë zyrtare për takim nga Kurti për t’iu përgjigjur, Dugolli tha se edhe “ftesa gojore” është zyrtare.

“Deklarimi i zotit Kurti se do t’i konsultojë partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit është zyrtar, por edhe do të formalizohet, pse jo, edhe me ftesa zyrtare. Por ftesat zyrtare janë edhe gojore, nuk janë vetëm ato me shkrim. Ne jemi të interesuar që seriozisht të komunikojmë dhe ta zgjidhim këtë çështje. Pritet që të takohen Kurti dhe Hamza, prandaj uroj që, me një komunikim përmbajtjesor të tejkalohet edhe kjo çështje”, tha ai për RTV21.

Dugolli, Grupi Parlamentari i së cilit ka shumicën parlamentare, tha se barra për tejkalimin e krizës për presidentin i ngarkohet opozitës. Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje deri më tani ka propozuar dy anëtarë të saj për pozitën që kërkohet një figurë unifikuese.

“Nëse opozita do t’i shmangë zgjedhjet, zgjidhja është aty. Ne po konsiderojmë që vendi ka nevojë që të zgjidhet presidenti dhe të shmangen zgjedhjet”.

Dugolli shtoi: “Jemi shumë të interesuar që të zgjidhim këtë çështje, ndërsa këmbënguli se “partitë opozitare janë ato që do t’i evitonin zgjedhjet”.

Kurse, Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, tha se PDK-ja ka qenë dhe është konstruktive Ka i përket zgjedhjes së presidentit Deputeti Tahiri tha se Kurti nuk ka qasje serioze për të gjetur zgjidhje. Sipas tij, Kurti është i interesuar ta dërgojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“PDK-ja ka qenë shumë konstruktive, shumë pozitive dhe transparente, si para takimeve, gjatë takimeve, ashtu edhe pas tyre. Pra, ka prezantuar shumë hapur qëndrimet e saj. Ndërsa, secila tendencë për ta keqinterpretuar qëndrimin e PDK-së tregon nga pala tjetër se nuk ka qasje serioze dhe nuk është e interesuar që seriozisht t’i ofrojë vendit president dhe t’iu shmanget zgjedhjeve. Pra, i shoh si taktika të Kurtit për ta dramatizuar situatën dhe, në anën tjetër, për ta dërguar vendin në zgjedhje.”

 

Lideri i VV-së, Albin Kurti, ende nuk i ka bërë ftesë zyrtare kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, për takim rreth çështjes së presidentit.

Ndonëse publikisht kryeministri Kurti ka bërë me dije se çelësi për zgjidhjen e ngërçit të presidentit është PDK-ja, ai ende nuk e ka ftuar Hamzën për të diskutuar rreth kësaj çështje.

Të ngjashme

Të fundit