Kryeministri në atë kohë i kishte dhënë disa intervista për të promovuar marrëveshjen e Brukselit/Ohrit që e kishte arritur me Serbinë më 27 shkurt dhe 18 mars respektivisht.
Disa ditë më parë, Kurti e kishte organizuar një takim me shefat e mediave në atë u bë i njohur si takimi “pa telefona”. Aty ishte ftuar edhe një përfaqësues nga mediumi Klan Kosova.
Megjithatë, intervista në këtë televizion nuk i kishte shkuar sipas planit.
Intervistuesi, Adriatik Kelmendi, kishte qenë jashtëzakonisht sfidues duke e bërë Kurtin që të ishte i urtë, i butë, qeshara dhe shpesh gati pëshpëritës derisa fliste.
Ja një nga pyetjet e mëposhtme të Kelemendit:
“Aleksandër Vuçiq – president i Serbisë – fitoi diçk që nuk ka arritur ta fitojë askush që nga shpallja e Pavarësisë: mos t’i kërkohet më njohja e Kosovës për një periudhë kohore. Askush më nuk ia kërkon – as Shtetet e Bashkuara, që ju i përmendët letrat e dy presidentëve – sot thonë “njohje eventuale reciproke”. Si arritëm që t’i bindë (ShBA-të) një shtet që ka bërë agresionin që ka bërë?”
As gëk, as mëk nga kryeministri.
Më pas, ai ishte sfiduar konkretisht nga gazetari – kur po fryhej me të dhënat e eksportit – se si i kishte ndihmuar bizneset kosovare të eksportonin më shumë meqë po i përmendte vazhdimisht.
Përgjigja e tij ishte si mos më keq:
“Një aspekt është mbajtja e energjisë elektrike shumë e ulët tek ne. Pastaj i kemi ndihmuar duke ua hequr nga qafa korrupsionin… Dhe gjithashtu u kemi ndihmuar duke i organizuar sa më mirë për eksportet që i bëjnë…”
“Pra, çfarëdo përparimi që ju të bëni në jetën tuaj do të përfundojë në ndonjë formë mes letrave të kryeministrit Kurti dhe ai do të mburret me të më shumë se ju vetë.” – shkruante për këta rreshta në atë kohë Nacionalja.
Gazetari guxoi që në intervistë t’ia përmendte Kurtit edhe eksportin më të madh nga Kosova: “dyshekët”. Kurti i zënë ngushtë thotë thjesht “po…”
Çakordimi total
Gjatë kësaj interviste, kryeministri ishte më i çakorduar se asnjëherë tjetër. Qe një këmbim me Kelmendin që Nacionalja e kishte cilësuar “sa i rëndë, aq edhe i turpshëm”:
“A i keni njoftuar këto shtete (mosnjohëse të BE-së) për marrëveshjen e arritur,” – e pyeti Kelmendi.
“Së pari neve ndërmjetësit dhe shtetet aleate janë duke na ndihmuar shumë. Dhe unë besoj që është më mirë ta ndjekim këtë rrugë indirekte sa i përket avancimit te njohja e pesëshes. Nuk është thjesht në dorën tonë. Dhe unë besoj që nuk do të ndihmonte që menjëherë pas marrëveshjes ne t’i shkruajmë. Ajo çka na duhet neve tash…” – u përgjigj Kurti.
Pra, Kurti po thotë që nuk iu ka shkruar këtyre shteteve. Por, prisni!
“Pse jo kryeministër? Ne kemi nevojë për njohjen. Na është thënë dhe kemi lobuar gjatë që ta kemi të paktën këtë njohje (njohjet e pesëshes) meqë nuk e kemi njohjen nga Serbia. Pse të mos i drejtohemi me letra?” – pyeti tutje Kelmendi.
“Ne i drejtohemi në çdo takim që organizojmë… Po nuk i jam drejtuar unë personalisht me letra. Mirëpo këto janë edhe çështje të ndjeshme të lobimit. Nëse unë ju tregoj se kujt i kam shkru letër javën e kaluar unë bëj edhe dëm sepse menjëherë i shkruan Serbia atij shteti…” – u përgjigj Kurti.
Nga ky komunikim doli se kreut të Ekzekutivit nuk i ishte shkuar as mendja që t’i shkruante letër pesë shteteve mos-njohëse në BE. Dhe përveç kësaj, këto pesë shtete (Spanja, Rumania, Greqia, Sllovakia e Qipro) i njeh edhe Serbia ashtu siç i njohim ne dhe nuk ka nevojë për kurrfarë fshehtësie siç pretendon Kurti në mënyrë qesharake.
Gazetari e kishte zënë ngushtë kryeministrin edhe kur ky i fundit e përmendi një raport të Transparency International. Ai e përmendi se Qeveria Kurti ishte “vetëm një shkallë lart se Qeveria Mustafa në vitin 2016.”
E kam një sekret shtetëror, por hajt po e tregoj
Gjatë kësaj interviste, Kurti u sfidua më seriozisht se asnjëherë në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Për herë të parë patëm një pranim se vetëmenaxhimi ishte diçka shtesë përveç Asociacionit, siç ishte edhe Kisha Ortodokse Serbe dhe kanali i drejtpërdrejtë i komunikimit me Serbinë, raporton Nacionale.
“Ju keni luftuar shumë kundër Asociacionit, sot e kemi edhe Asociacionin te pika 10 por edhe një vetëmenaxhim, edhe status special për Kishën Ortodokse Serbe por edhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi…” – kishte qenë pyetja e z. Kelmendi që kur i tha “keni luftuar” madje edhe u qesh.
“Kaq kam mundur të bëj Adriatik. A kupton?” – tha në një moment Kurti gjatë kësaj pjese.
Më pas Kurti s’arrin ta pranojë veten në këtë situatë dhe nis të shpalos disa plane por që s’ishte mirë t’i dëgjonte Serbia ani pse… ai s’po fliste privatisht me Adriatik Kelmendin por ishte në televizion.
“Asociacioni aktualisht ndodhet brenda thesit dhe, shikojeni nenin 10, thotë të zbatohen të gjitha marrëveshjet… me draftin e parë më 9 shtator s’ka qenë, më 6 dhjetor është presje, “which are valid and binding” (të cilat janë valide dhe të obligueshme)…” – nis fjalën e tij Kurti.
Në fakt, në Marrëveshje shkruan “which remain valid and binding” (të cilat mbeten valide dhe të obligueshme). Pra, kryeministri ngatërron edhe foljen . Por, lexojeni pjesën vijuese:
“Këtu kemi një rast të mirë, që nuk kisha dashur të thellohem më tej por besoj po e kupton çfarë po them… A po m’kupton çfarë po them?”
Kelmendi refuzon të komunikojë me sy me Kryeministrin, gjë që e nxit atë ta tregojë ‘sekretin shtetëror’ pavarësisht që mund ta dëgjonte Serbia.