Shkruan: Afrim Kasolli
Që kur është zyrtarizuar përjashtimi i Ramiz Lladrovcit, si kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës, për kryetar të Komunës së Drenasit edhe për një mandat, si dhe zëvendësimin e tij me emrin e Petrit Hajdarit, nuk kanë munguar spekulimet si dhe ka qarkulluar një thashethemnaje, se ky veprim i qendrës është bërë edhe me bekimin e liderëve themeltarë të PDK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, të cilët aktualisht gjenden në paraburgim në Hagë. Se ata që e drejtojnë këtë parti aktualisht nuk do të guxonin ta bënin një veprim të tillë, pa miratimin e tyre.
Gjithçka është e mundur. Mirëpo rrjedhja logjike e këtij procesi dhe pozicioni në të cilën ndodhen të dy liderët e sipër cekur e bëjnë pak të besueshëm këtë rrëfenjë “ndër-urbane”.
E para si Hashim Thaci ashtu edhe Kadri Veseli ndodhen në një proces shumë më te komplikuar juridik dhe politik, ku po sprovohet ekzistenca historiko-morale e shtetit të Kosovës. Dhe të njëjtit duke marrë parasysh këtë barrë kombëtare, vështirë se e kanë luksin të merren me ndërskamca të brendshme partiake. Për më shumë, amplifikimi interpretimeve të tilla e rëndon statusin e tyre juridik duke transmetuar mesazhin se ata edhe pse prapa grivave i kushtëzojnë veprimet e partisë.
Ndërkohë, kur është votuar në kryesinë qendrore të PDK-së për këtë lëvizje është thënë se kandidati i kësaj partie për kryeministër për zgjedhjet paralamentare të 9 shkurtit, si kryetari aktual i qytetit të Mitrovicës, ka votuar në favor të Ramiz Lladrocit, e kundër shokut të “studimeve” të ish-Shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri. Pra sikur të njëjtit të kishin pasur vërejte me emrin e Ramiz Lladrocvit, njeriut të parë që do t’ia transmetonin ato do të ishte Bedri Hamza, duke qenë se ai edhe pse sot nuk është kryetar formal i partisë, megjithatë siç e dëshmuan edhe zgjedhjet e fundit parlamentare, me personalitetin e tij më shumë se të askujt tjetër lidhet besimi i bazës politike të këtij subjekti.
Në këtë kontekst, është iluzore të mendohet se të dy liderë themeltarë të PDK-së do të konspironin prapa shpinës së Bedri Hamzës, e atë që nuk ia kanë shprehur atij, t’ia kenë thënë atyre që e inskenuan këtë komplot të brendshëm politik.
Një shpjegim i tillë më shumë ka gjasa që të jetë sajesë për të tentuar për ta justifikuar me një gjuhë të errët dhe sekrete atë që nuk u arrit të arsyetohej në mënyrë demokratike e parimore. Ku dikush mëton ta marrë rrolin e monopolit politik se është i përzgjedhuri ekskluziv i Hashim Thaçit e Kadri Veselit, si mjet për të siguruar pushtet të brendshëm në kundërshtim me procedurat demokratike. Dhe në fund për t’i legalizuar intrigat ditore nën emrin e dy prej ish-drejtuesëve historikë të PDK-së.