“Green Berets”, njësia elite e ushtrisë amerikane po e ruan kufirin me Serbinë në komunat veriore të vendit. Kjo njësi po vlerësohet se është angazhuar për shkak se ka pasur indikatorë për kërcënime të mundshme ushtarake ndaj vendit.
Trajnimet i kanë rigoroze që fillojnë me një kurs gjashtë javor e që janë të fokusuara në forcën fizike.
Këta janë pjesëtarët e njësisë elite të ushtrisë amerikane të njohura si “Green Berets” apo në shqip që i bie “Beretat e gjelbërta”.
Kryesisht, kjo njësi angazhohet në operacione kundër terrorizmit, mbikëqyrjen, trajnimin kundër kryengritjes për ushtritë e huaja dhe shpëtimet e pengjeve.
E disa pjesëtarë të kësaj njësie, është raportuar se po e patrullojnë edhe vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në komunat veriore të vendit.
Koloneli ushtarak në pension, Hysen Gecaj thotë se angazhimi i tyre tregon se ka një alarm nga ndërkombëtarët për tensione të mundshme në atë pjesë.
Sipas tij, në këtë kanë ndikuar edhe zhvillimet e sigurisë në Ukrainë e në territore të tjera ku aktualisht ka luftë.
“Janë dy momente kur angazhohen njësi të tilla, e para kur ka një vlerësim real për kërcënim dhe rasti i dytë është kur mund të ketë diçka dhe i paraprijmë kësaj duke i dërgu këto njësi speciale në territore të caktuara, në vende të caktuara për t’i dhënë sinjal palës tjetër që mos të ndërmerr ndonjë hap të gabuar”, tha koloneli në pension i FSK-së, Hysen Gecaj për Tëvë1.
Derisa thekson se gatishmëri ka pasur gjithnjë nga trupat e KFOR-it, por që të kësaj natyre nuk ka pasur vitet e kaluara.
“Tani kur kemi ardhë te një moment i ri kur kemi kërcënime nga Serbia nga të gjitha drejtimet atëherë shtohet nevoja dhe domosdoja që prapë të aktivizohen njësi të tilla për një siguri më të madhe të Kosovës në këtë rast por edhe paqes në regjion sepse siguria në Kosovë nënkupton edhe paqe në regjion. Sa më shumë që ka trysni Serbia që të mos përdorë elementin ushtarak, atëherë siguria në nivel rajonal është më e sigurt”, tha ai.
Kurse nënkoloneli në pension vlerëson se deri te kjo ka ardhur pas informatave për kërcënimeve që i kanë inteligjenca amerikane.
“Inteligjenca KFOR-it amerikan dhe inteligjenca në përgjithësi shohin rrethana të përgjithshëm të lëvizjes të beretave ushtarake të tyre, njësive më elite të tyre dhe besoj që vazhdimisht ata e kanë nën kontroll pjesën veriore kufirin, por edhe kufirin në tërësi sovranitetin e shtetit tonë për arsye se koordinojnë punën me Policinë e Kosovës, me institucionet tona dhe është i mirëseardhur një veprim i tillë për arsye se shton stabilitetin, sigurinë më tepër në pjesën veriore të vendit”, tha nënkoloneli në pension i policisë, Refki Morina.
E gjithë vija kufitare me Serbinë në territorin e Kosovës patrullohet nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.