Familjet e policëve të rënë në detyrë, kanë mbetur pa pagesa.
Kështu ka bërë të ditur Sindikata e Policisë së Kosovës.
Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar për mospagesën e familjeve të policëve të rënë gjatë kryerjes së detyrës për muajin dhjetor.
Kjo sindikatë akuzoi Ministrinë e Financave se nuk ia lëshoi mjetet këtyre familjeve.
“Edhe pse nga Drejtoria e Financave është bërë kërkesa zyrtare për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 290,000 euro, deri më tani këto mjete nuk janë ekzekutuar nga Ministria e Financave. Si pasojë, familjet e policëve të rënë në detyrë, të cilët janë një kategori e shenjtë dhe e respektuar për vendin tonë, kanë mbetur pa pagesë edhe pas përmbylljes së vitit. Kjo situatë është e papranueshme dhe e dhimbshme, duke marrë parasysh sakrificën sublime të këtyre familjeve, të cilat kanë dhënë bijtë dhe bijat e tyre për sigurinë e vendit tonë, ruajtjen e rendit publik dhe mbrojtjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e Sindikatës.
Sindikata e Policisë së Kosovës u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse, në veçanti Ministrisë së Financave, që “sa më parë të gjejnë zgjidhje dhe të realizojnë pagesat e mbetura, në mënyrë që të mos cenohet dinjiteti dhe mirëqenia e këtyre familjeve”.
“Sakrifica e policëve të rënë në detyrë nuk duhet dhe nuk guxon të harrohet”, përfundon komunikata.
Deri më tash, nuk ka pasur ndonjë reagim nga institucionet, saktësisht nga Ministria e Financave.
Burim Ramadani i AAK-së, ka kërkuar që familjet e policëve të rënë në detyrë të kompensohen sipas ligjit.
“Mos-pagesa për muajin dhjetor 2025 të obligimit shtetëror për familjet e policëve të rënë në detyrë është e papranueshme dhe ofenduese. Sakrifica e policëve të rënë në detyrë duhet të nderohet, jo të neglizhohet. Ata e ato dhanë jetën në krye të detyrës. Janë heronjtë e shtetit ligjor në Kosovë!”, ka shkruar Burim Ramadani.
Ligji për Policinë e Kosovës, në nenin 48, parasheh kompensim për vdekje në detyrë apo gjatë kryerjes së detyrës. Sipas këtij neni, bashkëshorti ose fëmijët nën moshën 18 vjeç të zyrtarit policor që vdes në detyrë përfitojnë ndihmë financiare të menjëhershme në vlerë të gjashtë pagave mujore bruto, me kusht që të kenë qenë të varur financiarisht nga zyrtari para vdekjes së tij. Në raste të veçanta, Qeveria mund të ndajë edhe shumë më të lartë financiare.
Mbetet të shihet nëse pagesat do të procedohen ditëve në vazhdim.






