Ish-kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Dardan Krasniqi, ka bërë thirrje që partitë opozitare ta mbështesin Ramush Haradinajn për president.
Krasniqi, Haradinajn, e cilëson si kandidatin më unitar dhe më të përshtatshëm për të udhëhequr proceset politike në vend.
Sipas Krasniqit, Haradinaj ka dëshmuar ndër vite si në rrafshin politik, ashtu edhe në atë shtetëror, duke qenë një figurë që gëzon mbështetje të gjerë dhe që mund të shërbejë si faktor bashkues në skenën politike të Kosovës.
“I bëj thirrje partive opozitare që ta mbështesin Haradinajn si një njëri që ka dëshmuar… jo që në udhëqjen e tij politike nuk ka pasur qalime e gabime, por është kandidati më unitar dhe kandidati që mundet me i pri proceseve në këtë momentum – pra kryeministrit Kurtit”, deklaroi ai në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Ai theksoi se në këtë fazë politike, Kosovës i nevojitet një figurë me përvojë dhe autoritet, e cila mund të menaxhojë sfidat e brendshme dhe të jashtme, duke e parë Haradinajn si zgjedhjen më të arsyeshme për postin e presidentit.
Duke komentuar zhvillimet politike dhe rezultatet zgjedhore, Krasniqi shtoi se vullneti i qytetarëve nuk mund të ndalet, pavarësisht kalkulimeve partiake.
“Nuk ka rëndësi a kalon Aleanca apo a fiton VV-ja, sepse vullnetin e popullit s’mundesh me ndal”, u shpreh ai.






