6.7 C
New York
Friday, November 15, 2024

Buy now

Pse Ballkani u nda “ftohtë” me Ilir Dajën, cilat janë prapaskenat, si rrodhi i gjithë rrugëtimi deri në “divorc”?

- Advertisement -

Fillimi i 2022-ës nuk ishte fare i ftohtë në krahasim me pikun e dimrit, ku rëndom moti është i “rreptë”.

Më 5 janar të atij viti, në qytetin e Suharekës po shënonte temperatura 14 gradë Celsius, kurse brenda zyrave të klubit futbollistik Ballkani, atmosfera po “ngrohej” edhe më shumë, pasi aty po hedhej firma e marrëveshjes me një trajner të suksesshëm nga Shqipëria. Ilir Daja po vishej portokall e zi.

Nënshkrimi i kontratës ndërmjet FC Ballkanit dhe Ilir Dajës, 5 janar 2022

Strategu shqiptar kishte dërguar deri në piedestal të Kategorisë Superiore në Shqipëri, Elbasanin, Dinamon e Tiranës dhe Skënderbeun. Madje me këta të fundit u kualifikua deri në grupet e Ligës së Evropës, duke shënuar rezultat historik me 5 pikë, pa asnjë humbje si vendas, njofton Klankosova.tv.

Tani po vinte aty ku investimet nuk po rreshtnin por që skuadra deri në ato ditë, s’po merrte rezultatet që investitori e tifozët i dëshironin.

Udhëheqësi i ri i lojtarëve të këtij ekipi, po shihej si alternativë kruciale që ecuria të ndryshonte, çka edhe dha frytet e veta që në fillim. Në më pak se gjashtë muaj pas emërimit të timonjerit të ri, Ballkani po arrinte ta bënte atë të cilën nuk e kishte bërë kurrë.

“Xhebrailat” u shpallën kampionë të Republikës së Kosovës, për herë të parë në historinë e tyre 75 vjeçare. Ky triumf do të ndyshonte rrënjësisht ecurinë jo vetëm të këtij klubi, por mbarë futbollit kosovar.

Skuadra nga Suhareka e udhëhequr nga Ilir Daja, datën 25 gusht të vitit 2022 e futi në analet historike, duke u bërë klubi i parë që nga ekzistenca e futbollit të Kosovës, që kualifikohet në finalet e një kompeticioni evropian, siç është UEFA Europa Conference Leage.

Momente të trajnerit Ilir Daja, pas kualifikimit të Ballkanit në Conference League

Ky sukses bëri që shumë media ndërkombëtare të shkruanin për këtë skuadër, që po ‘mahniste’ me futbollin e aplikuar dhe një pjesë e konsiderueshme e “fajit” po i atribuohej pikërisht strategut nga Tirana.

Ballkani shfaqi ndeshje të forta në grupet e UECL-së, duke fituar si mysafir i Sivassporit turk dhe duke barazuar me Kluzhin rumun, derisa pos kësaj, asnjë ndeshje nuk e humbi me më shumë se një gol diferencë. Kjo bëri që vëmendja e shumë agjentëve të futbollit, të kthehej tek lojtarët kampionë të Kosovës.

“Vallja” e transferimeve po fillonte me Ermal Krasniqin, i cili që në muajin janar do të nënshkruante me 8 herë kampionin e Rumanisë, CFR Cluj.

Anise po konsiderohej si humbje e madhe në lojën e portokall e zinjëve, ata sërish do ta dominonin elitën futbollistike në Kosovë, duke mbrojtur titullin kampion.

Ballkani tashmë u kthye në një “revolucion” të futbollit shtetëror, pasi po fitonte edhe pse skuadra po i “dobësohej” nga largimet.

Sigurimi për herë të dytë i fazës së grupeve në Ligën e Konferencës, ndodhi edhe përkundër shitjes edhe të një aseti shumë të rëndësishëm të skuadrës, super-sulmuesin, Albion Rrahmani, i cili u transferua te Rapidi i Rumanisë. Pas tij, edhe njëri nga futbollistët kryesor të ekipit, u largua. Meriton Korenica kaloi në Turqi te Manisaspor.

Por pavarësisht kësaj, për të dytin vit me radhë, ekipi suharekas la gjurmë në ‘Conference League’.

Dinamo e madhe e Zagrebit po gjunjëzohej në “Fadil Vokrri” 2-0, duke bërë që në shumë vende të Evropës të shkruanin e të flisnin për “fenomenin” e Kosovës, që nuk po trembej më nga asnjë emër i dëshmuar i futbollit evropian.

Ilir Daja me Ballkanin ishin tashmë adresa e plot mediave të kontinentit, të cilët po krijonin reportazhe për këtë senzacion, duke qenë se në kushte shumë të vështira, puna e tyre po habiste komunitetin futbollistik.

Reportazh i UEFA TV për Ballkanin

Skuadra e Ilir Dajës, në muajin janar do të “varfërohej” edhe më, pasi ofertat në drejtim të futbollistëve të këtij ekipi, s’kishin mbarim.

Sulmuesi Albin Berisha dhe mesfushori Qëndrim Zyba, ishin shkuarjet e reja të kampionëve të Kosovës, të cilët po tentonin sërish mbrojtjen e titullit kampion.

Pavarësisht “hedikepimit” kualitativ, Ballkani me Dajën po shkëlqente përsëri. Viti i tretë radhazi që kjo skuadër po e dominonte futbollin e Kosovës, duke u shpallur sërish kampion, kurse këtë herë triumfuan edhe në Kupën shtetërore.

Gjithë këto suksese, gjithë kjo ecuri fantastike e “Xhebrailave”, e bëri të pamundur ruajtjen e boshtit të skuadrës, pasi shumë ekipe evropiane po i kërkonin me ngulm yjet e Ballkanit.

Fillimi i kampanjës së re ndërkombëtare, e gjente klubin nga Suhareka të “zhveshur” nga mburoja e kualitetit të jashtëzakonshëm që kishte në përbërje.
Lumbardh Dellova, Edvin Kuç, Armend Thaqi, Lorenc Trashi e Nazmi Gripshi, u transferuan jashtë Kosovës.

Drejtuesit e klubit u munduan të reagojnë shpejt që brenda një kohe të shkurtër ta kompletonin skuadrën, të fortë dhe konkuruese. Por ky riformatim bëri që Ballkani mos të ishte në nivelin që ishin mësuar të jenë.

Eliminimi nga eliminatoret e Ligës së Kampionëve prej një skuadre modeste, siç ishte Santa Coloma, por njejtë edhe në UECL nga kampionët e Irlandës së Veriut, FC Larne, të cilët vetëm një vit më parë i “shkeli” 3-0 dhe 4-1, trazoi ujërat në Suharekë.

Ballkani i Ilir Dajës u eliminua nga FC Larne

Si asnjëherë më parë u rritën zërat për “divorcimin” e trajnerit me suharekasit.

Daja nuk ishte i kënaqur me ndryshimet drastike në përbërje, kurse drejtuesit ishin të “trishtuar” nga mos sigurimi i PlayOff-it të Konferencës Evropiane, raporton Klankosova.tv.

Megjithatë, pavarësisht pakënaqësive me rezultatet dhe mos arkëtimit të shumë parave të majme, bordi i klubit s’po jepte sinjale se do të kërkonte përgjegjësi ‘ekstreme’ nga shefi i shtabit teknik, anise atmosfera në kampin portokall e zi u bë goxha e zymtë.

Rruga e këtij bashkëpunimi, vërehej që kishte një fund të afërt, edhe pse ‘profesori’ po e drejtonte ende skuadrën.

Xhiro e katërt e kampionatit të ri në Kosovë, do të ishte e fundit që 57 vjeçari do të quhej trajner i Ballkanit.

Presidenti i FC Ballkanit, Arsim Kabashi dhe trajneri, Ilir Daja

Klankosova.tv mëson se humbja 3-2 nga Malisheva nuk ishte arsyeja, por Daja ishte bindur paraprakisht që më nuk ka se çfarë t’i ofrojë këtij klubi!

A kishte frikë tironsi se me formacionin e ri nuk do të arrijë më të jetë dominues, apo zemra e tij dukej se po rrihte për ekipin e tij të dikurshëm, Dinamon e Tiranës, kjo nuk dihet ende, por ajo që dihet është se te ish-klubi i tij ku luajti edhe si lojtar por i udhëhoqi edhe si trajner, po e presin.

Burimet e redaksisë bëjnë të ditur se krejt këto ngjarje ndodhën përkundër që ekzistonte edhe një dakordim dy-palësh për vazhdimësi me Ballkanin. Udhëheqësit e klubit, përtej rezultateve jo të kënaqshme në muajt e fundit, nuk kishin ndërmend ta shkarkonin, sikurse që vetë tekniku u kishte dhënë sinjale të ‘qarta’ se do të rrugëtojnë bashkë.

Por fundi i gushtit e determinoi faktin se trajneri nuk ishte më i plotësuar në Suharekë e as i fokusuar te skuadra që e udhëhiqte.

Raportet mes Dajës dhe Ballkanit u zbehën goxha, sa që edhe lamtumira nuk ishte aq “miqësore”.

I “ftohtë” në fakt ishte edhe postimi falenderues që skuadra nga Suhareka ia bëri trajnerit, me të cilin fitoi gjithçka, ndryshe prej herave të kaluara kur i referoheshin me terme ‘glorifikuese’.

Klubi nga Suhareka vetëm pak muaj më parë, deklarohej se të ardhmen e kryetrajnerit e kanë të vulosur me Dajën.

“Ashtu siç kemi bërë të ditur në fund të muajit shkurt, profesor Ilir Daja do të jetë pjesë e jona, së paku edhe për dy vjet. Të gjitha planet e klubit për këtë periudhë kohore, lidhen me projektin e përbashkët me trajnerin tonë. Çdo formë tjetër që po merr jehonë në media, mbetet thjeshtë spekulim, me qëllime dashakeqe ndaj klubit”, shkruhej më 30 maj, në postimin ku konfirmohej bashkëpunimi.

Megjithatë, tre muaj më pas, tjetër “peisazh” ka në faqen zyrtare të këtij klubi.

“Tifozë të dashur, pavarësisht se në vazhdimësi kemi qenë të dakorduar për të vazhduar edhe më tej bashkë, tashmë ish-timonjeri ynë ka konsideruar se nuk ka më shumë çfarë të jap për klubin tonë”, shkruhet ndër të tjera në lamtumirën e Ballkanit për trajnerin Daja.

Lamtumira e “zbehtë” e Ballkanit për trajnerin, Ilir Daja

Tani, mbi dy vjet e gjysmë pas emërimit në krye të bankinës dhe përkundër temperaturës 30 gradë Celsius në ditën e parë të shtatorit, ndarja mes Ballkanit dhe Ilir Dajës u bë “akull e ftohtë”. /KlanKosova/

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit