Por, banka qendrore gjermane vepron në mënyrë pragmatike në këtë çështje, shkruan Deutsche Welle.
“Sillni arin tonë në shtëpi”, kërkon, për shembull, Michael Jäger, president i Shoqatës Evropiane të Tatimpaguesve, në një deklaratë për transmetuesin publik gjerman ZDF. Ari, në mendjet e njerëzve, është ende “thesari më i madh” që zotëron një shtet, dhe çfarë po bën ky president amerikan me të gjitha institucionet federale, të gjithë po e shohim.
Drejtori i FED-it amerikan, Jerome Powell, ishte mjaft i sinqertë për të thënë mendimin rreth masave të presidentit amerikan, Donald Trumpit në ekonomi, kështu që nuk duket se do të mbetet gjatë në atë pozitë. Dhe çfarë do të ndodhë atëherë me arin gjerman në Amerikë?
Bundesbanka, banka qendrore gjermane, në fakt deri në vitin 2013 publikonte gjendjen e rezervës shtetërore në ar, por nuk donte të thoshte se ku ndodhej ai. Kjo shkaktoi spekulime të shumta se çfarë po bënte Berlini me thesarët shtetërorë, ndaj edhe vetë banka qendrore u bë më transparente.
Pak më shumë se gjysma ndodhet në Gjermani
Po, është e saktë: Në fund të vitit 2024, Gjermania kishte 3.352 tonë ar, që është rezerva e dytë më e madhe shtetërore në botë: vetëm SHBA ka më shumë. Po ashtu është e saktë që 1.236 tonë, pra rreth 37 për qind, ndodhen në thesaret e Federal Reserve Bank në New York, 409 tonë ndodhen në Bankën e Anglisë në Londër dhe pjesa tjetër, pra rreth 51 për qind e arit që zotëron Gjermania, ndodhet në një “lokacion konfidencial” në Frankfurt mbi Main.
Gjermania dikur kishte shumë më tepër ar jashtë vendit: nga viti 2013 deri në 2017, nga New York u transportuan gjithsej 300 tonë ar, dhe në bankën qendrore të Francës ndodheshin 374 tonë ar gjerman, që tashmë ndodhen në Gjermani.
Arsyeja pse Gjermania mban fare ar jashtë vendit ka rrënjë pjesërisht në histori: pas rrëzimit të nazizmit, arin gjerman – të paktën atë që mundën të gjenin – aleatët perëndimorë e morën si garanci për likuiditetin e vendit. Që në marrëveshjen e Bretton Woods-it, u përcaktua që ky ar t’i kthehej Gjermanisë në përputhje me suficitin shtetëror nga vitet ‘50. Deri në vitin 2013, gati 70 për qind e arit gjerman ishte jashtë vendit edhe për arsye strategjike: gjatë Luftës së Ftohtë, në rast se ajo do të shndërrohej në një luftë të nxehtë, ekzistonte frika se Gjermania do të pushtohej shpejt nga ushtria sovjetike ose do të shkatërrohej nga armët bërthamore. Kjo kujdes kërkonte që edhe ari të ruhej larg kufirit me Bllokun Lindor.
Afër tregjeve të mundshme
Shumë nga ari gjerman ndodhet ende jashtë vendit, por tashmë për arsye pragmatike “Ari në Frankfurt, në rast emergjence apo krize, nuk mund të konvertohet shpejt në valuta rezervë të huaja dhe për këtë arsye Bundesbank mban ende një pjesë të rezervave jashtë vendit”, thuhet në përgjigjen e bankës për gazetarët e transmetuesit publik ARD.
“Kriteret vendimtare për shpërndarjen e rezervave të arit janë siguria dhe disponueshmëria e shpejtë, që të mund të shitet në rast nevoje. Në bazë të këtyre kritereve, Bundesbank rregullisht kontrollon arin atje ku ndodhet”, raporton mediumi.
Për çdo shufër ari mbahet evidencë – për pasurinë gjermane është një libër voluminoz me 2.373 faqe – të gjitha shufrat janë të numëruara dhe ekspertët gjermanë vizitojnë rregullisht Londrën dhe New York-un për të kontrolluar nëse pesha dhe pastërtia e arit “gjerman” është ende ajo që thuhet në libra. Asnjëherë nuk ka pasur ndonjë problem për përfaqësuesit e Bundesbankës gjatë verifikimeve, as në Britani të Madhe e as në SHBA.
Është krejtësisht e parëndësishme se kush është në krye të FED-it amerikan, sepse me ligjin ndërkombëtar dhe marrëveshjet e nënshkruara, as presidenti amerikan nuk mund të ndërhyjë në këtë ar.
“New York Fed ka qenë dhe mbetet vend i rëndësishëm për ruajtjen e arit tonë. Nuk kemi as edhe një dyshim të vogël që nuk kemi një partner të besueshëm dhe konfidencial për rezervën tonë të arit”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Bundesbankës. Dhe duke qenë se disponueshmëria është faktori më i rëndësishëm, Gjermania nuk ka ndërmend të sjellë më shumë ar “në shtëpi”.
Përse i duhet Gjermanisë gjithë ky ar? Por lind edhe pyetja: përse Gjermania ka kaq shumë ar?
Për shembull, Kroacia për një kohë të gjatë nuk kishte aspak rezervë ari dhe vetëm me hyrjen në zonën e euros u detyrua të blejë të paktën një pjesë të këtij metali të verdhë. Çmimi i arit aktualisht është shumë i lartë dhe vlera e arit gjerman do të ishte këto ditë mbi 340 miliardë euro.
Por, në Bundesbank nuk e mendojnë kështu: së pari, kjo vlerë është llogaritur me një matematikë të thjeshtë. Nëse do të hidhej në treg një sasi e tillë ari, kjo do të sillte domosdoshmërisht rënie të theksuar të çmimit.
Arsyeja tjetër lidhet sërish me historinë dhe psikologjinë: prej kohësh nuk ekziston më “standardi i arit” për monedhën në qarkullim, dhe pasuria e një shteti nuk matet më me ar, por me performancën e përgjithshme ekonomike.
Por, gjermanët gjatë shekullit XX kanë parë shumë herë sesi monedha e tyre shndërrohej në letër pa vlerë, ndaj edhe ari i tyre përbën “një bazë të rëndësishme të ndjenjës së sigurisë për qytetarët gjermanë”, thotë presidenti i Bundesbankës, Joachim Nagel.