Partia Social Demokrate e Kosovës gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një aksion para ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë.
Ata kanë vendosur një faturë para ambasadës lidhur me mjekët dhe infermierët që ky shtet po ia merr Kosovës.
Komunikata e plotë e PSD:
Ditën e Evropës ia urojmë Gjermanisë. BE është tregu dhe monedha e përbashkët gjermane. Gjermania po importon njerëz, dhe po eksporton mallra.
Besoni ose jo, burimet publike të Kosovës po e financojnë sistemin shëndetësor gjerman. Kurse Gjermania është ekonomia e katërt në botë për nga madhësia. Për këtë arsye jemi këtu sot: për ta sjellur faturën e shfrytëzimit.
Oda e Mjekëve në Gjermani sugjeron rritjen e numrit të studentëve të mjekësisë për 4000-5000 vende të reja. Por, kjo nuk ndodh sepse kostoja qenka e lartë, kurse nga Ballkani dhe Amerika Latine po i marrin falas.
Oda e Mjekëve të Kosovës tregon se vetëm 4 muajt e parë të këtij viti, nga Kosova kanë ikur 91 mjekë. Secili prej tyre, po të shkollohej atje do të kushtonte 200 mijë euro. Janë 18. 2 milionë donacion nga popull i Kosovës solidaritet për “Gjermaninë e varfër”. Nëse ia shtojmë kësaj edhe 9 milionë për 300 infermierë, shifra për 4 muaj shkon në 27.2 milionë. Nëse llogarisim se kjo dinamikë vazhdon gjatë krejt vitit, i bie se Kosova ia kursen Gjermanisë 81.6 milionë euro. Dhe mos harroni se ky fenomen nuk ka nisur këtë vit, por ka së paku 5 vitet e fundit që vazhdon intensivisht. Kurse vazhdimi i tij me këtë ngritje intensiteti do ta gjejë Kosovën me mungesë mjekësh për 3-4 vjet.
Kjo faturë nuk është “ikje e trurit”, por faturë e shfrytëzimit. Inxhinierë, ndërtimtarë, kuzhinierë, dizajnerë, janë qindra e mijëra punëtorë të rinj që po ikin në fabrikën gjermane. Pasi na është mohuar politika monetare dhe subvencionimi, tash jemi veçse konsumues që riciklojmë vlerën e prodhuar jashtë nesh. Ikja e fuqisë punëtore, kryesisht të kualifikuar dëmton rëndë zhvillimin e brendshëm, përveç që ul konsumin dhe taksat. Kjo marrëdhënie qendër-periferi duhet të ndryshojë, përndryshe nuk ka asnjë kuptim ta quajmë njëri-tjetrin partnerë. Mbase më mirë të bëhet Kosova një nga landet e Republikës Federale të Gjermanisë. Së paku, do të kishim më shumë zë, dhe do ta gëzonim mbrojtjen sociale që ekziston atje.