Grupet parlamentare të Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike të ndarë janë dakorduar që të punojnë bashkërisht në unifikimin e dy rezolutave për Kosovën, pas sulmit në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
Kryetarja socialiste e komisionit parlamentar për punët e jashtme dhe nënkryetari demokrat pritet të ulen bashkë me synim e çuarjes në parlament të një rezolute të vetme.
“Nuk duhet të përbënte lajm fare, por është lajm i mirë gjithsesi që ne kemi arritur në një konsensus që të bashkojmë të dy qëndrimet tona në rezoluta që kemi paraqitur të dalim me një rezolutë të përbashkët për ngjarjet e fundit në veri të Kosovës”, u shpreh kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi.
Parlamenti do të përfshihet në një seancë me mocion nga ku do të diskutohet e miratohet një rezolutë për situatën në Kosovë.
Draftrezoluta e dorëzuar në Kuvend nga Grupi Parlamentar i PS-së, reflekton qëndrimet e deritanishme publike mbajtur nga kryeministri Edi Rama.
Kjo rezolutë me 13 pika kërkon “dënimin e sulmit të armatosur terrorist në veri të Republikës së Kosovës dhe mbështetjen e përpjekjeve për garantimin e sigurisë dhe paqes në vend e në rajon”.
“Përgëzon institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës për maturinë dhe profesionalizmin e tyre si dhe vlerëson forcat e EULEX-it dhe KFOR-it për gatishmërinë, bashkëpunimin dhe angazhimin në aksionin për zmbrapsjen e sulmeve kriminale të njësive terroriste dhe neutralizimin e përpjekjeve për përshkallëzimin e konfliktit në veriun e Kosovës dhe destabilizimin e vendit. Kërkon nga Serbia që të heqë dorë nga qëndrimet dhe veprimet armiqësore e luftënxitëse ndaj Republikës së Kosovës. Të hapë një hetim serioz e transparent ndaj tërë organizatorëve dhe shkaktarëve të operacioneve ushtarake terroriste ndaj Republikës së Kosovës dhe të dorëzojë kriminelët”.
Ndërkohë, prej datës 29 shtator nga grupi parlamentar i PD-së është dorëzuar një tjetër rezolutë po për Kosovën. Gazment Bardhi u shpreh i kënaqur për vendimin e marrë në Konferencën e Kryetarëve në mbajtjen e një seance të posaçme për rezolutën.
“Është rënë dakord me propozimin tonë që të kemi një seancë të posaçme dedikuar vetëm Kosovës më datën 12 Tetor pra të enjten e javës që vjen dhe koha e debatit të jetë rreth 5 orë”, tha Bardhi. /TCH